Olti Curri ka folur nga Roterdami për atmosferën e Eurovizionit dhe emocionet e përjetuara pas kualifikimit të Shqipërisë në finale me këngën e Anxhela Peristerit, të titulluar “Karma”.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë në studion e emisionit “Rudina”, Olti ka treguar se i ka bërë shumë përshtypje dashamirësia mes konkurrentëve, të cilët kanë shprehur vlerësime për njëri-tjetrin.

Më tej ai ka theksuar se këngëtari me origjinë shqiptare që përfaqëson Zvicrën në Eurovizion, Gjon Muharremaj, është një “vullkan” në skenë.

“Gjëja që më ka bërë përshtypje është dashamirësia e kolegëve me njëri-tjetrin. Nuk e di çfarë ka gjithësecili në zemër por fjalët që shprehin janë shumë të mira. Kanë respekt për artin e gjithkujt dhe nuk ndihet ajo atmosfera e garës. Bëjnë foto me njëri-tjetrin. Grupi Italian kërkoi foto me Anxhelën. Gjoni vjen dhe rri aty, është shqiptar dhe rri me shqiptarët. Është i lezetshëm si personazh. Ka atë stilin e vet urban që prezantohet, por një vullkan në skenë. Të gjithë thonë ore çfarë ndodh në Shqipëri, keni sera që kultivoni këngëtarë”, tha Olti Curri./tvklan.al