Tre ditë pas miratimit të aktit normativ AntiKÇK, policia ka nisur sekuestrimin e pasurive të grupeve kriminale. Po ashtu, gjatë paradites u është dorëzuar formulari dhjetëra subjekteve që sipas aktit normativ, do të kenë kohë 48 orë për të justifikuar të ardhurat dhe si janë krijuar këto biznese, pasuri të paluajtshme dhe automjete. Kjo strukturë parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK. Kësaj të fundit i jepet 15 ditë kohë dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros. Në vlerësimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit Erind Pirani, ky akt normativ i qeverisë ka disa probleme, si nga afatet ashtu edhe sa i përket cënimit të të drejtave të njeriu. Këto ai i listoi në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin “Opinion”, ndërsa tha se zyra e Avokatit të Popullit gjykon se prokuroria dhe gjykatat, që janë marrë më parë me hetimin dhe gjykimin e këtyre personave, duhet të kishin vijonin edhe me hetimin dhe verifikimin e pasurive.

Erind Pirani: Nuk plotëson kriteret për të miratuar si akt normativ një ligj special i qeverisë, duhet të kalojë dhe të miratohet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë brenda 45 ditëve duke patur parasysh efekte dhe pasojat që mund të ketë brenda këtyre 45 ditëve. Zoti Daci me të drejtë listoi disa problematike me afatet që mund të sjellin edhe cënimin e shkeljeve apo parimin e së drejtës si edhe marrin përsipër disa kompetenca dhe mekanizmave paralele që në gjykimin tonë mund të përbëjnë premisa për antikushtetutshmërinë e këtij akti normativ dhe cënimin e të drejtave.

Blendi Fevziu: Cënimi i të drejtave të njeriut ku figuron?

Erind Pirani: Mund të përballen individë me procese ose bllokimin e pasurisë apo vendosjen e masave personale dhe pasurore në dëm të tyre, duke patur mungesën e elementëve thelbësor të cilët mund të përmbushnin ose mund të plotësonin procedurën penale që normalisht duhet të ndiqen e të hetohen nga organet e specializuara të drejtësisë. Me të drejtë u listua edhe më përpara që ne kemi patur në funksion dhe kanë ushtruar aktivitetin e tyre gjykatat dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, në hetimin dhe gjykimin e personave me probleme me ligjin, që përfshihen tashmë edhe me aktin normativ.

Blendi Fevziu: Kemi një ndryshim në filozofi. Në gjykatë duhet të shkoje me dosje të përgatitur dhe ta kapje tjetrin në faj. Sot po shkojmë me një filozofi tjetër, por kapim personin dhe po themi… që po themi nëse ti mua më shihje me këtë veshje duhet të vërtetoje që unë e kam në rrugë korruptive këtë. Sot ti më kap me gjithë veshje dhe më thua vërtetoje ti si e ke blerë. Ka një ndryshim në filozofi.

Erind Pirani: Pikërisht është e kundërta dhe ne gjykojmë që prokuroria dhe gjykatat që janë marrë më parë me hetimin dhe gjykimin e këtyre personave duhet të kishin vijonin edhe me hetimin dhe verifikimin e pasurive./tvklan.al