Përfundon më shumë se gjysma e punimeve në 3 lotet e Kardhiq – Delvinë

Përfundon më shumë se gjysma e punimeve në 3 lotet e Kardhiq – Delvinë

15:51 29/06/2019

Më shumë se gjysma e punimeve në tre segmentet ku po ndërtohet rruga Kardhiq-Delvinë ka përfunduar.

Në lotin 4, 5 dhe 6 makineritë janë duke punuar me intensitet të lartë. Aktualisht ka përfunduar pjesa e gërmimeve dhe po bëhet shtrimi i trasesë së rrugës, ku më pas do të nisë ndërtimi i urave lidhëse në këtë aks. Ministrja Belinda Balluku tha se pavarësisht terrenit të vështirë, punimet do të përfundojnë përpara afatit.

“Problematikat këtu i kemi diskutuar dhe terreni është i vështirë për të thënë të drejtën, ka pasur edhe rrëshqitje në disa nga rastet, megjithatë po bëhet një punë e mirë e cila na jep shpresë se ndoshta do mbarojmë edhe para afatit”.

Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor ka ndryshuar në disa pjesë projektin për të zgjidhur disa problematika të hasura nga kompanitë që po ndërtojnë rrugën si dhe nyjet lidhëse me fshatrat përreth.

“Kemi diskutuar të gjitha problematikat që kanë pasur të trija lotet të cilat janë duke punuar, si loti 4,5 dhe 6, për të korrigjuar ato defekte të paraqitura nga ana e supervizorit dhe për t’u riprojektuar“, thotë drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato.

Projekti i rrugës Kardhiq – Delvinë është tenderuar në vitin 2009 dhe me një gjatësi totale prej 32 kilometrash, ku tre lotet e para 1, 2 dhe 3 prej 16 kilometrash përfunduan, por për 8 vjet rruga nuk mori më asnjë financim. Aktualisht po punohet për 3 segmente të tjera, ndërsa loti 7 i cili pëmban edhe ndërtimin e tunelit në këtë rrugë dhe ai 8, pritet që të nisin punimet këtë vit, për të përfunduar në vitin 2021. Kardhiq – Delvinë është një nga nyjet më të rëndësishme të turizmit jugor pasi lidh rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë me Sarandën, duke shmangur qafën e Muzinës, rrugë malore dhe e vështirë për automjetet.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
UKT