Tirana e Partizani ngrohin muskujt, Shehi e Daja me grup të plotë

Tirana dhe Partizani kanë nisur të ngrohin muskujt në prag të sfidës derbi, të programuar për t’u luajtur të hënën. Përballja derbi e dyta për këtë sezon, por e para mes bardhebluve dhe të kuqve pritet me mjaft interes për shkak edhe të pozicionit në tabelë që kanë dy ekipet. Lajmi i mirë për Orges Shehin është se infermeria është boshatisur dhe trajneri ka të plotë grupin e lojtarëve për sfidën me rivalët e përjetshëm.

Te Tirana ky është një derbi që përgatitet me optimizëm, edhe për faktin se fitoret e fundit, ndaj Laçit dhe Teutës kanë karikuar me vetëbesim skuadrën që shkon në këtë përballje si kryesuese e klasifikimit ku i shikon nga lart poshtë me një diferencë prej 7 pikësh rivalët e kuq që ende nuk kanë shijuar fitoren e tyre të parë në këtë kampionat. Edhe te Partizani situata është e qetë dhe tepër optimiste. Futbollistët e kuq kërkojnë që të japin maksimumin për të shpëtuar edhe fatet e trajnerit, Ilir Daja. Një disfatë e të kuqve do lëkundë jo pak pozitat e tij, pas një starti për t’u harruar në 5 javët e para.

Kapaciteti prej 30% i stadiumit që përmban protokolli aktual tanimë është ezauruar dhe Tirana pret që t’i miratohet kërkesa për të lejuar të mbushet me kapacitetin e tij maksimal. Sfida do luhet në “Air Albania” të hënën e 25 Tetorit në orën 19:45.

Klan News