Kryebashkiaku: Larg nacionalizmit, të punojmë bashkë kundër rreziqeve

Me tingujt e kambanave u përkujtua momenti, kur 75 vjet më parë mbi Hiroshimë ra e para bombë atomike e përdorur kundër njerëzve e quajtur “Little Boy”.

Sulmi amerikan i mori jetën mbi 140 mijë banorëve, gati gjysmës së atyre që banonin në Hiroshima në atë kohë, si dhe la pas shkatërrim total, gjurmët e të cilit ruhen edhe sot e kësaj dite.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, kryetari i bashkisë së Hiroshimës bëri thirrje që njerëzimi të mos lejojë përsëritjen e gabimeve të së kaluarës, por të bashkohet për të luftuar kundër çdo kërcënimi.

“Rritja e vazhdueshme e nacionalizmit në atë kohë, çoi në luftën e dytë botërore e më pas në bombardimet atomike. Nuk duhet të lejojmë kurrë më që eksperiencat e dhimbshme të së kaluarës të përsëriten. Shoqëria civile duhet të refuzojnë nacionalizmin dhe të bashkohet kundër çdo kërcënimi”.

I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Parkun e Paqes ishte edhe kryeministri Shinzo Abe dhe të mbijetuarit nga ajo kohë. 3 ditë pas bombardimit të Hiroshimës, amerikanët hodhën bombën e dytë në Nagasaki.

Vetëm këto sulme vranë mbi 200 mijë njerëz, duke çuar në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo kohë, Japonia nuk është përfshirë më në luftëra, ndërsa qeveria ka mbështetur gjithnjë nismat për çarmatosjen e globit nga armët bërthamore.

Tv Klan