10 mijë hektarë tokë dhe 2405 shtëpi vijojnë të jenë të përmbytura në zonën e Nënshkodrës. Ndryshe nga një ditë më parë situata ka ardhur drejt përmirësimit në komunat përreth dhe në qytetin e Shkodrës. Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm në lagjen Bahçallëk dhe Ajasëm, ndërkohë që gjatë ditës për arsye sigurie ka vijuar evakuimi i banorëve.

Lumi Buna mbeti në të njëjtat kuota të një dite më parë, duke ruajtur nivelin  9.11 metër nga 9.25 metër që është pika kritike. Edhe aksi Tiranë–Shkodër ka qenë i kalueshëm për mjetet e rënda dhe për autoveturat.

Operacioni i Forcave të Ushtrisë per evakuimin e banorëve dhe shpërndarjen e ndihmave ka vijuar në komunat Dajç, Bushat, Guri i Zi, Anamal dhe Bashkinë Shkodër. Ky operacion është kryer në bashkëpunim edhe me strukturat e specializuara të evakuim shpëtimit të ardhura nga Qeveria e Kosovës.

Reshjet e orëve të fundit kanë bërë që prurjet e Drinit të mbeten në kuota të larta, si në kaskadën e Fierzës ashtu edhe në atë të Shkopetit e Vaut të Dejës. Në Fierzë niveli i ujit ka shënuar gjatë pasdites 291 metër, në Koman 175 m dhe në Vaun e Dejës 76 metër.  Kjo ka bërë që në diga të vijojë shkarkimi i ujit sipas rregullores së parashikuar.

Situata në zonën e Malit të Jushit të Komunës Bushat në Shkoder vazhdon të mbetet problematike, pasi e gjithë zona është e rrethuar nga uji, ndërsa rreth 140 shtëpi janë përmbytur që prej ditës së djeshme.

Banorët e rrezikuar janë evakuuar, ndërsa kanë mbërritur edhe ndihmat nga rezervat e shtetit, si është bërë edhe furnizimi me ujë të pijshëm.

Kryetari i komunës Zef Hila e ka përcaktuar gjendjen të vështirë, ndërsa ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën.

Banorët deklarojnë se kjo situatë është mjaft e vështirë, por për ta kryesor është fakti se popullata është e sigurtë dhe masat e marra janë një mbështetje për ta.

Zonën e përmbytur e kanë vizituar edhe përfaqësues të Partisë Socialiste që kanë parë nga afër gjendjen e krijuar në këtë fshat, si edhe masat e marra nga qeveria për t’i mbështetur dhe përkrahur këta banorë, shtëpitë e të cilëve tashmë ndodhen nën pushtetin e ujit.

Sipas autoriteteve lokale, vazhdon ardhja e të tjera furnizimeve për banorët e përmbytur dhe se krahas ndihmës së dhënë nga ushtria janë vënë në dispozicion edhe mjete lundrimi për të shpërndarë ushqimet dhe ujin e pijshëm deri tek shtëpitë më ta largëta, të cilat ndodhen të izoluara nga uji.

Tv Klan