Tkurret sipërfaqja e tokave të përmbytura

Rënia e intensitetit të shirave ka sjellë një përmirësim të lehtë të situatës së përmbytjeve në veri të vendit. Sipas  të dhënave nga shtabi i emergjencave, edhe pse situata vijon të mbetet problematike në Shkodër, të martën ka një tërheqje të lehtë të ujit.

NëShkodër është rikthyer qarkullimi në rrugën e Obotit. Por rezulton e përmbytur 1458 ha tokë. Ujësjellësi Oblika 1 dhe 2, si pasojë e përmbytjeve vijojnë të jenë jashtë funksionit.

Përmbytjet vijojnë të jenë në njësitë administrative Dajç, Velipojë, Bërdicë dhe Guri i zi.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile ndihmuan në evakuimin e rreth 84 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat u strehuan në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Autoritetet njoftuan se numri i të evakuuarve në mbrëmje u ul si rezultat i normalizimit të situatës.

Mbi 1780 efektivë të forcave të armatosura, si dhe 25 automjete janë përqendruar në zonat e përmbytura duke u ardhur në ndihmë banorë.

Probleme ka edhe në Lezhë ku më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren dhe ku po punohet për largimin e ujit nga 4 banesa, ndërsa 1300 ha ndodhet nën ujë.

Rruga që lidh fshatin Blinisht me Supestradën Lezhë-Shkodër dhe rruga e fshatit Piraj vijojnë të jenë të pakalueshme për shkak të ujit.

30 familje u izoluan në Durrës për shkak  të ujit që arriti në 50 cm, megjithatë në dy rajonet atë 5 dhe 6 ku u situata ishte më problematike aktualisht nuk ka banesa nën ujë.

Në Korçë dhe Dibër kanë nisur reshjet e dëborës, çka është shoqëruar edhe me një rënie të ndjeshme të temperaturave.

Tv Klan