Një ditë pasi deputetët refuzuan marrëveshjen e negociuar prej saj me Brukselin për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian, kryeministrja britanike Thereza May po përballet me një mocion mosbesimi të kërkuar nga laburistët në opozitë. Mes debatesh në sallë, May tha se nuk do të tërhiqet deri sa të përmbushë vullnetin e shumicës së britanikëve për t’a nxjerrë vendin me marrëveshje nga Bashkimi Europian.

“Ka vetëm dy mënyra për të shmangur daljen pa marrëveshje. Ose do të arrijmë marrëveshje të re ose të revokojmë nenin 50. Kjo e fundit nënkupton të qëndrojmë në BE, duke shkelur mbi rezultatin e referendumit dhe këtë gjë kjo qeveri nuk do ta bëjë.”

Nismëtari i mocionit, kryelaburisti Jeremy Corbyn tha se May duhet të largohet pasi e konsumoi mundësinë për të arritur një marrëveshje të kënaqshme për Britaninë.

“Kryeministrja nuk i ka dhënë zgjidhje unionit doganor dhe vazhdon të shpenzojë 4.2 miliardë nga paratë publike për një skenarin e daljes pa marrëveshje edhe pse nuk ka asnjë plan të qartë. E kuptoni që dje parlamenti refuzoi marrëveshjen e saj dhe tani kërkon të jetë pikërisht ajo që do të na sjellë një marrëveshje tjetër?”

Deputeti i nacionalistëve skocezë Ian Blackford i kërkoi shumicës qeverisëse të revokojë nenin 50 që shkëput Britaninë e Madhe nga BE. Sipas tij, vullneti i skocezëve është të jenë pjesë e unionit dhe kjo është zgjidhja e duhur në një moment kur vendi është i përçarë nga çështja Brexit.

Nëse May nuk mbështetet nga shumica e deputetëve, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Nga salla e Strasburgut, kreu i Parlamentit Europian Antonio Tajani tha se rreziku ishte më i madh se kurrë që Britania të dilte pa marrëveshje nga Bashkimi Europian, duke kujtuar se ka vetëm rreth 70 ditë kohë për të shmangur këtë skenar katastrofik.

Tv Klan