Aeroplani “Air Albania” i nisur nga Londra me disa emigrantë shqiptarë i destinuar drejt Kukësit, u ul fillimisht në aeroportin e Rinasit. Prej këtej u nis drejt aeroportit “Zayed” të Kukësit ku bëri uljen e parë të suksesshme.

Por përse u ul fillimisht në Rinas dhe jo në Kukës? Ministrja e Transporteve Belinda Balluku dhe Kryeministri Edi Rama zbardhën edhe arsyet. Sipas tyre, aeroporti i Kukësit është operacional dhe aviacioni ndërkombëtar e konsideron lokal deri sa të certifikohet si ndërkombëtar.

“Duke nisur nga sot ky aeroport është operacional. Do të nisin të gjitha testet nga kompanitë ajrore. Do nisim nga puna për të lidhur kontratën, për të provuar pistën, për të validuar procedurat dhe sigurisht për ta bërë këtë aeroport sa më tërheqës për të gjithë zonën. Këtu do ketë pasagjerë nga Kosova, nga Maqedonia  e Veriut, nga Mali i Zi e kudo. Në datë 17 Qershor kur mbaron afati i publikimit që kemi nisur në atë datë aeroporti i Kukësit do të jetë aeroport i përdorshëm nga të gjitha kompanitë. Nga ky moment i lihet në dorë koncesionarit. Që këtu do fluturohet për në shumë qytete të Gjermanisë, për në Angli, për në Zvicër në mjaft qytete që nuk fluturohet nga Tirana”, tha ministrja Balluku.

Sipas gjithë rregullave të aviacionit ndërkombëtar çdo aeropott nga momenti kur bëhet operacional fillon si një aeroport lokal dhe ka një procedurë certifikimi për t’u bërë aeoroport ndërkombëtar e cila zgjat 50-60 ditë, dhe pasi bëhet aeroport ndërkombëtar, menjëherë do të fillojë një lëvizje që do të shkojë duke u rritur”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al