MASR: 49 shkolla janë dëmtuar në 3 qarqe

Shtyhet edhe për të paktën një javë mësimi në qarqet Tiranë Durrës dhe Lezhë. Në një deklaratë për mediat Ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi edhe afatet.

“Duke marrë parasysh gjendjen e shkollave u vendos që në Qarkun e Durrësit mësimi do të pezullohet deri më 9 Dhjetor. Në Qarkun e Tiranës dhe të Lezhës, mësimi do të jetë i pezulluar deri më datë 5 Dhjetor, ku do të fillojë mësimi. Nëse do të shtyhet do njoftohen më 4 Dhjetor. Në qarqet e tjera vijon normalisht, nesër”, tha Shahini.

Orët e humbura do zëvendësohen në një moment tjetër. Shahini bëri edhe bilancin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

“Në Durrës e Lezhë kanë dëmtime të thella 26 shkolla. Në Tiranë dëmtime mesatare dhe të lehta janë 23, përveç Prezës që do të zhvendosen nxënësit në një shkollë tjetër. Një pjesë e shkollave në Tiranë janë mbyllur, por jo të gjitha. Mbrëmë kemi bërë zhvendosjen e planeve të nxënësve tek shkollat pritëse. Kemi bërë kalkulimin e kostove dhe jemi në proces të mjeteve të transportimit. Edhe për nxënësit që janë strehuar nëpër hotele. Duhet t’i çojmë në shkollat më të afërta”, tha Shahini.

Vendimi për pezullimin e mësimit vlen edhe për shkollat private, ndërsa çerdhet për qarqet Tiranë dhe Lezhë edhe mund të rihapen, por komunikimi do të bëhet nga bashkitë. Shahini kërkoi nga mësuesit që të rikthehen pas vendeve të punës për të ndihmuar në bërjen e bilancit të shkatërrimeve.

Tv Klan