Çdo vit, në botë 5.4 milionë njerëz pickohen nga gjarpërinjtë. Nga këta, rreth 130 mijë njerëz humbin jetën si pasojë e helmimit vdekjeprurës, ndërsa janë rreth 400 mijë që ngelen me aftësi të kufizuara të përhershme.

Statistikat bëhen të ditura nga OBSH, që ka hartuar një strategji globale për të përgjysmuar këto shifra brenda vitit 2030. Rastet më të shpeshta ndeshen në Afrikë, Azi dhe në Amerikën e Jugut, në radhët e grave, fëmijëve dhe në kultivuesve në zona rurale të varfra.

Helmi i gjarprit mund të shkaktojë paraliza të rrezikshme që bllokojnë frymëmarrjen, shkakton hemorragji, kolaps të veshkave dhe dëme të përhershme të indeve që mund të detyrojnë mjekët edhe në prerjen e gjymtyrës së prekur.

OBSH thekson se në treg ekzistojnë terapi efikase, por janë të pakta vendet që i prodhojnë me cilësi dhe sipas normave të duhura, gjë që ka sjellë edhe rritjen e çmimit të antidoteve të disponueshme.

Tv Klan