U qëlluan nga një efektiv tjetër policie

Dy efektivë të policisë dhe një qytetar kanë mbetur të plagosur mesditën e së martës në Mamurras me armë zjarri.

Efektivët e plagosur janë Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, ndërsa qytetari është identifikuar si Nikoll Vorfi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit teksa punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll një automjet me të cilin lëviznin disa persona. Patrulla ka hasur në kundërshtimin e tyre, çka ka sjellë edhe një konflikt verbal dhe fizik me personat që gjendeshin në makinë.

Policia bën të ditur se në këtë moment një nga punonjësit e policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë ka plagosur dy kolegët e tij, Flamur Llejan dhe Ilir Zekajn, si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasin Nikoll Vorfi.

Të plagosurit kanë marrë plagë në këmbë dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të tjera të policisë, FNSH-së dhe RENEA-s, të cilat ngritën pika të shumta kontrolli për të kapur personat e tjerë të përfshirë në këtë përplasje.

Policia shpalli në kërkim shtetasit Ndue Zefi 28 vjeç dhe Gjon Fufi 40 vjeç, pasi nuk iu bindën urdhërit të patrullës së përgjithshme.

Burime nga policia e Kurbinit bëjnë të ditur gjithashtu se janë shoqëruar rreth 7 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Tv Klan