Një ditë pas plagosjes së dy vëllezërve Gruda në Shkodër, policia ka arrestuar autorin e dyshuar.

Xhevahir Fikaj 47 vjeç u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm pas kontrollit të territorit dhe informacioneve që policia kishte marrë në rrugë operative.

Fikaj dyshohet si autori i plagosjes së vëllezërve Lad dhe Ilir Gruda në Fshat i Ri, Shkodër. I pari u plagos me sende të forta pas konfliktit fizik mes tyre.

Ndërsa vëllai i dytë, Ilir Gruda, u qëllua me armë nga autori i dyshuar pasi u përfshi në sherr. Pas ngjarjes autori u arratis, ndërsa dy vëllezërit u transportuan në spital jashtë rrezikut për jetën.

Motiv i konfliktit mendohet se ka qenë një tokë kufitare mes dy familjeve, ku vëllezërit po ndërtojnë një shtëpi. Të dy palët pretendojnë pronësinë mbi atë tokë. /tvklan.al