Penalizim rrjeteve sociale që publikojnë lajme të pakonfirmuara

Ky është himni kombëtar i Koresë së Veriut dhe futbollistët e saj janë fituesit e kampionatit botëror duke mundur në finale Brazilin me 10 gola diferencë. Fantazia e medias shtetërore koreano-veriore ishte aq e lartë, aq sa thuhej se ekipi i tyre kombëtar kaloi direkt në finale dhe nuk i’u desh të luante në grupe si Kombëtaret e tjera, sepse ata rezultuan superiorë.

Lajmi mori dhenë nëpërmjet televizionit shtetëror dhe festimet vijuan me ditë me radhë. Bëhej fjalë për Botërorin e zhvilluar në Rusi, që u fitua nga Franca në përballjen ndaj Kroacisë.

Ky është një nga lajmet e rreme më të njohura deri tani që ngjason me ato që jepeshin në Shqipërinë komuniste. Komisioni Evropian ka paraqitur një plan anti-fake news për një mekanizëm më të ashpër mbikëqyrës të platformave online për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja, sidomos ato ruse e kineze ne fushatat elektorale jo vetëm në BE, por edhe në shtetet ballkanike.

“Prodhuesit e dezinformimit nuk po paguajnë asnjë çmim për veprimet e tyre. Unë mendoj se kjo nuk duhet të kalojë pa ndonjë ndëshkim, prandaj po shqyrtojmë mënyrën e zbatimit të sanksioneve. Së fundmi kemi identifikuar më shumë se 500 shembuj të dezinformimit pro-Kremlinit për COVID-19. Ndërsa që nga fillimi i monitorimit më 2015 janë identifikuar më shumë se 10,000 shembuj të dezinformimit pro-Kremlin”, thotë eurokomisionerja Vera Jourova.

Plani sugjeron vendosjen e rregullave më të ashpra për platformat online si Facebook, Google dhe Twitter. Përdorimi i lajmeve të rreme për qellime politike kur kanë kaluar 30 vite nga diktatura komuniste shqiptare rezultoi edhe në një studim të prezantuar në Parlamentin Evropian. Në raportin e ekspertëve u përmend rasti kur Kryeministri Rama në Mars 2020 u detyrua të kërkonte falje publike për trillimet se zyrtarët spanjollë po vendosnin taktika të dhunshme policore për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

‘Prova’ e tij doli të jetë një video e policisë algjeriane të trazirave duke sulmuar protestuesit. Dy televizione te njohura konsiderohen si burimi kryesor shpërdarës i lajmeve të rreme, lajme që menjëherë përcillen e publikohen me të njëjtin tekst pa u verifikuar për vërtetësinë e tyre nëpër portale apo media të tjera.

Sipas studiuesit Samuel Greene, këto lajme kryesisht kanë synuar të dezinformojnë publikun lidhur me ecurinë e procesit të integrimit evropian.

“Si aktorët e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm kanë përdorur dezinformimin për të minuar kredibilitetin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, duke amplifikuar dhe manipuluar ndarjet ekzistuese ndërmjet “idealistëve të BE-së të cilët janë të përkushtuar për identitetin evropian të shtetit të tyre dhe “realistëve të BE-së” të cilët mund të mos e kundërshtojnë integrimin në BE, por nuk besojnë se kjo gjë mund të ndodhë”.

Në raport si një nga lajmet e rreme më të bujshme përmendet ai se qeveria e Ramës kishte lejuar importin e 1,300 tonë mbetjeve toksike nga Italia në vitin 2018. Sipas raportit, fenomeni i dezinformimit në Kosovë ka pasur implikime të drejtpërdrejta politike që shkaktuan edhe rënien e qeverisë së Albin Kurtit nga një operacion dezinformues amerikan.

Klan Plus