“Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar rregulloren për kandidatët jo gjyqtarë që duan të bëhen pjesë e Gjykatës së Lartë. Tre gjyqtarë të kësaj  gjykate do të jenë nga jeta akademike, të cilët duhet të plotësojnë disa kritere”.

Aplikantët nuk duhet të kenë qenë aktiv në politikë për 10 vite e fundit, të kenë eksperiencë pune si jurist për 15 vite, si dhe të kenë grada shkencore. Pritet që javën e ardhshme KLGJ-ja të hapë garën për ata që duan të aplikojnë. Më pas në bazë të një sistemi pikëzimi, këshilli do të rendisë ata që plotësojnë kriteret.

Kjo listë do t’i dërgohet presidentit për dekretim. Nëse kreu i shtetit nuk e dekreton, automatikisht zgjidhen tre kandidatët që janë të parët. Mbledhja e qeverisë së drejtësisë vjen dy ditë pasi Presidenti Ilir Meta, me anë të një letre, i kërkonte informacion KLP-së, se në cilën fazë ishte përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht është jashtë funksionit.

Ajo ka mbetur me dy anëtarë nga 19 që duhet të ketë. Në mbledhjen e kësaj të premteje të Këshillit të Lartë Gjyqësorë pati dhe një debat dhe për praninë e kamerave në sallë. Drejtuesja e KLGJ-së, Naureda Llagami kërkoi largimin e tyre, veprim, i cili shërbeu që mes gazetarëve dhe saj të kishte debat mbi transparencën e këtij institucioni.

Tv Klan