Polemika për anijen “Alex”

Polemika për anijen “Alex”

17:00 07/07/2019

Këto janë momentet e zbarkimit të 41 emigrantëve në portin e Lampeduzës. Autoritetet italiane lejuan zbritjen e tyre, por anija “Alex” u sekuestrua dhe kapiteni u ndalua dhe pritet të përballet me akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore.

Mjeti qëndroi disa orë në det të hapur dhe emigrantët, një pjesë e mirë fëmijë, të nisur nga Libia dhe të shpëtuar në ujërat e Mesdheut ndodheshin në kushte tepër të rënda higjienike.

Rasti shkaktoi polemika të ashpra mes Romës dhe Berlinit. Ministri i Brendshëm gjerman kërkoi hapjen e menjëherëshme të porteve italiane për emigrantët e shpëtuar, në një letër drejtuar homologut të tij italian Matteo Salvini, i cili e refuzoi kategorikisht kërkesën gjermane përmes rrjeteve sociale.

“Pashë që qeveria gjermane më dërgoi një letër duke më kërkuar hapjen e porteve dhe zbarkimin e të gjithëve. Jo… Jo… dhe mendoj t’ua them në emrin tuaj. Jo, nuk bëhet fjalë”.

Salvini i bëri thirrje në Facebook qeverisë Merkel të urdhërojë heqjen e flamujve gjermanë nga anijet private të organizatave të shpëtimit, pasi siç tha “këto metoda ndihmojnë trafikantët dhe skafistët”. Pak ditë më parë Guardia di Finanzia arrestoi kapitenen gjermane të anijes së shpëtimit Sea Watch, me akuzën e trafikut të qenieve njerëzore.

Vitin e kaluar Salvini urdhëroi mbylljen e porteve për emigrantët klandestinë, me argumentin se Italia është lënë e vetme nga Europa në përballimin e fluksit të emigrantëve.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT