Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Policia e Qarkut të Beratit, ka goditur përsëri bandën e Lulzim Cakës, një nga kriminelët më të kërkuar, i arrestuar në Itali. Gjatë një operacioni në fshatin Rërëz, forcat e policisë kanë arrestuar dy nga bashkëpunëtorët e Lulzim Cakës, Astrit dhe Besnik Çalën. Ndërsa Lorenc Çala ka mundur të shpëtojë.

Sipas të dhënave zyrtare, të tre këta persona, të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë, i kishin bërë pritë dhe kanë tentuar të vrasin Petrit Yzeirin, banor i fshatit Rërëz, por me të marrë njoftim nga një tjetër banor i këtij fshati janë dërguar forcat e policisë. Pas arrestimeve të kryera, janë shoqëruar për në drejtorinë e policisë edhe shtetas të tjerë me të cilët po punohet për sqarimin e pozitës së tyre në këtë ngjarje.

Gjatë operacionit është bllokuar një sasi e konsiderueshme municioni, si dhe një çifte pa leje. Sipas kolonel Ilirjan Didës, drejtor i policisë së Beratit, vëllezërit Çala kanë kryer gjatë këtij viti disa vrasje në seri, për llogari të Lulzim Cakës. Por kolonel Dida thotë, se me këto arrestime e quan të mbyllur kapitullin Caka./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço