Një përleshje e armatosur ka ndodhur mes policisë greke dhe një grupi personash në zonën e Pogonit në Janinë.

Sipas mediave greke, efektivët e policisë po zhvillonin një aksion kundër një grupi që dyshohet se trafikonte lëndë narkotike. Nga informacionet e shtypit grek, bëhet fjalë për një grup shqiptarësh që u pikasën në kufirin e gjelbër.

Sapo vunë re makinat e policisë, ata qëlluan me armë ndaj efektivëve. Nga shkëmbimi reciprok i zjarrit, mbeti i vdekur një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Po kështu, u plagos lehtë në dorë një polic grek. Ngjarja është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Policia Greke.

Aksioni vazhdon për të arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, dyshohet 4 të tillë. Ndërkohë, policia greke ka sekuestruar 10 thasë me drogë, me peshë 100 kilogramë kanabis. Po kështu, në vendngjarje u gjetën edhe 2 kallashikovë. 

/tvklan.al