Parlamenti i Polonisë miratoi një ligj që i lejon rojet kufitare t’i dëbojnë menjëherë emigrantët që kalojnë ilegalisht kufirin. Gjithashtu ata do të kenë fuqi t’i refuzojnë kërkesat për azil ndërkombëtar, pa u shqyrtuar. Megjithatë, sipas ligjit ndërkombëtar, kushdo që kërkon mbrojtje ndërkombëtare, duhet të ketë qasje në procesin e azilit, edhe nëse e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Edhe pse është e ndaluar të dërgohen njerëzit atje ku mirëqenia e tyre mund të jetë në rrezik, grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Poloninë për kthimin e emigrantëve prej muajsh. Së paku gjashtë viktima janë gjetur pranë kufirit. Emigrantët dyshohet se kanë humbur jetën nga të ftohtit. Ligji i ri i miratuar në parlamentin polak duhet të nënshkruhet nga presidenti Andrzej Duda. Polonia dhe Bashkimi Evropian akuzojnë udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, për dërgimin e mijëra emigrantëve në kufijtë e BE-së.

Unioni e akuzon se po përpiqet t’i destabilizojë shtetet anëtare, për t’u hakmarrë kundër sanksioneve që i ka vënë blloku.

Klan News