Tapeti i kuq ka nisur të hndërrohet në traditë edhe për kinematografinë shqiptare. Premiera e filmit “Sekretet” e Spartak Pecanit, mblodhi në sallën e kinema Millenium personalitete të artit dhe kulturës shqiptare. Filmi i cili rreket të hyjë në psikologjinë e një populli, përcjell shumë edhe nëpërmjet muzikës që mban firmën e kompozitorit Adrian Hila. 

Për Hilën të bësh muzikë filmi do të thotë muaj të tërë punë.

Adrian Hila: “Kam punuar në studion time, domethënë muzika është e realizuar totalisht në studion time, por së bashku me inxhinier zëri gjerman që ka qenë edhe në një shkollë për sa i përket teknikës. Muzika e filmit në atë kohë, për mua është një thesar që si zor mund t’i kthehet.”

Një prej protagonistëve të filmit është edhe aktori kosovar Enver Petrovci, që së fundmi jo rrallë po shfaqet në skenat shqiptare.

Enver Petrovci: “Ky është fati të takohemi më shpesh, unë besoj se kjo do të jetë një shembull i vockël, si inspirim për takimet e ardhshme dhe mendoj se duhet të takohemi shumë më shpesh, tani është rasti ynë, shansi ynë.”

Në premierën e filmit nuk mungoi një prej protagonistëve kryesorë aktori Ndriçim Xhepa, i cili aktualisht është në sheshxhirimin e filmit Lindje-Perëndim-Lindje të regjisorit Gjergj Xhuvani./tvklan.al