Meta: Këto janë provat e reja si ka ndodhur puçi

Në një deklaratë për mediat, Presidenti Ilir Meta, duke ia kaluar fjalën këshilltarit të tij ligjor, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë ka falsifikuar shkresën e dërguar për botim në Fletoren Zyrtare ku emërohet Arta Vorpsi si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Këshilltari i Metës, Bledar Dervishi, tha se ky është fakti i radhës që sipas Presidencës dëshmon sesi po realizohet grushti i shtetit.

Sipas Dervishit, për këtë akt kanë bashkëpunuar kreu i KED Ardian Dvorani, Ministria e Drejtësisë dhe Qendra e Botimeve Zyrtare, për emërimin e Vorpsit.

Ai ka bërë me dije se Botimi në Fletoren zyrtare të vendimit për emërim të Arta Vorpsit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese është bërë në shkelje të ligjit.

Dervshi deklaroi se Ministria e Drejtësisë, pasi ka marrë një shkresë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ku njoftonte se Vorpsi emërohet si gjyqtare dhe ku kërkohej që ky vendim të botohej në Fletoren Zyrtare, ia ka nisur shkresën Qendrës për Botimet Zyrtare. Por kjo nuk është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë, shprehet Dervishi.

“Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ditë të shtune, me shkresën nr. prot. 7575, datë 9.11.2019, i përcjell QBZ-së, shkresat që citon se i ishin përcjellë Ministrisë së Drejtësisë nga Kuvendi, me shkresën nr. Prot. 3991/1, datë 9.11.2019. (Në këtë shkresë i kërkon Qendrës së Botimeve Zyrtare, në shpërdorim të pastër të detyrës, të botojë në Fletoren Zyrtare, Vendimin nr. 132, datë 21.09.2019 të KED.)”

“Por, shkresa e Kuvendit që referon Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe që presupozohet se e ka vënë në lëvizje këtë institucion, në fakt, sipas numrit të protokollit hyrës në Ministrinë e Drejtësisë, mban nr. 7576,datë 9.11.2019. Pra, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ka përcjellë për në QBZ, me një shkresë me numër protokolli pararendës (nr. 7575) dokumente që ligjërisht dhe zyrtarisht, nuk i kishte marrë ende në institucion, as nuk i kishte protokolluar (pasi i protokollon më pas, me nr. 7576). Ky është një falsifikim i pastër i përmbajtjes së shkresave, ndërkohë që mund të jenë shoqëruar edhe me falsifikimtë Regjistrave të Protokollit për të mbuluar plotësisht skemën“.

Ai deklaron se po përgatisin një kallëzim për veprimet e Ministrisë së Drejtësë.

“Nga kjo provë rezulton se Ministria e ka nisur shkresën për botim pa marrë një letër nga Kuvendi. Këtu kemi të bëjmë me lajthitje? Jo, më keq. Falsifikim.

Struktura përkatëse e Presidentit po përgatit kallëzimin për  t’ia drejtuar SPAK… Tani Prokuroria duhet të ketë fjalën dhe të thërrasë për të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë”. /tvklan.al