Presidenti i FSHF Duka dhe homologu i tij në Kosovë Ademi vizitojnë Thaçin e Veselin në Hagë

Presidenti i FSHF Duka dhe homologu i tij në Kosovë Ademi vizitojnë Thaçin e Veselin në Hagë

20:17 02/10/2022

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe homologu i tij në Kosovë Agim Ademi kanë vizituar pasditen e sotme në burgun e Hagës, Thashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti i FSHF-së Armand Duka përmes një postimi në Facebook.

I bindur se Thaçi dhe Veseli do të dalin të fituar, Duka shton se “do t’i japin fund njëherë e mirë të gjitha pretendimeve për të përbaltur UÇK-në dhe luftën për pavarësi të popullit të Kosovës”.

Presidenti i FSHF-së, Duka tregon se Thaçi dhe Veseli ishin në gjendje të mirë shëndetësore teksa jep detaje të tjera në lidhje me takimin.

Sot pasdite isha në burgun e Hagës, Hollandë. Bashkë me Presidentin e Federatës së Kosovës Agim Ademi, e anetarin e kominitetit ekzekutiv te FFK Mirsad Çollaku, u takuam e bashkëbiseduam me dy miq, dy figura me gjurmë të padiskutueshme në historinë e Kosovës dhe Shqiptarisë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Kjo historia e burgut, është sprova e fundit për ta. Dhe në çdo rast do të dalin të fituar për t’i dhënë fund njëherë e mirë të gjitha pretendimeve për të përbaltur UÇK-në dhe luftën për pavarësi të popullit të Kosovës.

Më erdhi shumë mirë që ishin mirë me shëndet dhe për më tepër për minuta të tëra folëm dhe për futbollin.Sa mirë e sa para kanë ecur Shqipëria eKosova në këtë drejtim. Hashimi gjithmonë ka qenë një ndjekës i rregullt edhe në stadium.

Dhe kjo e Hashimit dhe Kadriut është e ngjashme me lojrat që bëjmë në fushë. Kemi hedhur në fushë lojtarët më të mirë të kombëtareve tona. Ndaj do dalim të fituar.

Hashim & Kadri, gjithë komuniteti i futbollit Shqipëri-Kosovë por edhe në gjithë trevat shqipfolëse është me ju”, ka shkruar Duka në Facebook.

Sjellim në vëmendje se pak ditë më parë, Gjykata Speciale e Hagës ka ndryshuar aktakuzën e konfirmuar ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Aktakuza është miratuar nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Hagës për amendamentin e aktakuzës së konfirmuar ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që nga aktakuza të hiqen pretendimet për krime në qytetin e Ferizajt.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Hagës dhe ka urdhëruar të njëjtit që të tërheqin pretendimet e cekura rreth një krimi të pretenduar në Ferizaj.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim që nga Nëntori i vitit 2020, të akuzuar për krime që dyshohet se janë kryer në luftën e fundit në Kosovë./tvklan.al





Të ngjashme