Publikohen rreth 60 pyetje të prokurorit special Robert Mueller, drejtuar presidentit amerikan Donald Trump.

New York Times që publikoi listën e pyetjeve shkruan se ato u janë dorëzuar avokatëve të Trump.

Dy çështjet kryesore për të cilat prokurori special Mueller kërkon të marrë përgjigje janë shkarkimi i beftë i drejtorit të FBI-së, James Comey në maj të vitit të kaluar, dhe kontaktet e bashkëpunëtorëve të Donald Trump dhe rusëve gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Sipas NYT, Prokurori Special e pyet presidentin nëse ekipi i tij i fushatës ka koordinuar veprime me avokatë të Kremlinit dhe nëse Trump ishte në dijeni të kanaleve të fshehta që dhëndri i tij Jared Kushner tentonte të lidhte me rusët. Një tjetër pyetje lidhet me diskutimet e mundshme që mund të jenë bërë në “ndonjë takim me Vladimir Putin”.

Në një reagim në Twitter, Donald Trump e quajti të “turpshme që pyetjet e prokurorit special Mueller, rrjedhin në media. Ky është një hetim i nisur me rrjedhjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar”, shkruan Trump.

Presidenti amerikan e ka cilësuar vazhdimisht një “gjueti shtrigash” hetimin e prokurorit special për lidhjet e njerëzve të tij të afërt me Moskën.

Tv Klan