44 persona u asfiksuan nga tymi. Mister fati i një të mbijetuari të 8-të

Një gabim njerëzor konsiderohet si shkaku kryesor i aksidentit tragjik në Bullgari që u mori jetën 44 pasagjerëve që ktheheshin nga Stambolli në Maqedoninë e Veriut. Ky është versioni që dha në bazë të hetimeve paraprake zv/kryeprokurori bullgar, Borislav Sarafov, duke shtuar se verifikimet vijojnë. Ai hodhi poshtë mundësinë e një akti terrorist apo se në autobus ka pasur lëndë të rrezikshme.

“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ky version është hetuar, por ne e hedhim kategorikisht poshtë si të pabazë. Janë gjetur 3 bidonë bosh dhe që nuk janë djegur. Zjarri nuk ka shpërthyer nga bidonët”.

Sipas prokurorëve bullgarë, barriera mbrojtëse ku është përplasur fillimisht autobusi ka ndikuar në aksident pasi për shkak të shkëndijave ka marrë flakë vaji i motorit. Pasagjerët kanë ndërruar jetë nga asfiksia për shkak të tymit që mbushi autobusin. Prokurorët zbuluan se janë gjetur 44 trupa të pajetë, ndërsa ngritën dyshime se me shumë mundësi kanë shpëtuar 8 persona dhe jo 7 sikurse është deklaruar deri më tani. Gjatë marrjes në pyetje, njëri nga të mbijetuarit e aksidentit ka thënë se janë shpëtuar 8 persona.

“Ne gjetëm 44 trupa, kurse ai deklaron se janë shpëtuar 8 persona. Unë i thashë se ju jeni 7 në spital, 4 meshkuj dhe 3 gra, por ai këmbëngul se shpëtuan 8 persona. Mbetet e paqartë se ku është personi i tetë”.

Prokurorët bullgarë nuk përjashtojnë mundësinë që një prej udhëtarëve të jetë transferuar në një autobus të tjetër që ishin pjesë e turit të organizuar. Ndërkohë ekspertët po vijojnë të marrin profilet e ADN-së të familjarëve për identifikimin e viktimave.

Tv Klan