Akuzohen për shpërdorim detyre pas bllokimit të fluturimeve në Rinas

Kreu i Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Trafikut Ajror Armando Fezga, përgjegjësja e turnit Flora Ndreca dhe Muhin Mezini janë tre kontrollorët e arrestuar nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës për bllokimin e aeroportit të Rinasit ditën e mërkurë.

Një nga kontrolloret e arrestuara ishte mbrëmjen e kaluar në emisionin Opinion, ku dha versionin e saj për ngjarjen.

Për tre punonjësit e mësipërm, provë është konsideruar biseda me njëri-tjetrin në ‘WhatsApp’, ku flitet për organizim të grevës dhe për braktisjen e vendit të punës, që çoi në mbylljen e aeroportit.

Avokati i  kontrollorëve, Rezart Kthupi në një komunikim për mediat tha se tre kontrollorët akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe se njëri prej tyre nuk është në kushte të mira shëndetësore.

“Sapo kanë përfunduar procedurat për ndalimin e tre kontrollorëve, akuza është shpërdorim detyre në bashkëpunim, kjo është sa i takon pjesës informative. Zoti Fezga sapo ka kaluar Covidin, nuk është në kushtet më të mira, për të përballuar ndalimin prej 48 orësh në paraburgim. Është një akuzë që nuk mund t’ju komunikohet atyre, sepse nuk janë funksionarë publikë. Personat e ndaluar e kanë kundërshtuar ndalimin e tyre, nuk e di nëse një person mund të ndalohet për komunikime në WhatsApp. Pra është një akuzë që është ngritur në bazë të komunikimit në grup”.

Sipas bisedave të kryera në aplikacionin WhatsApp, Armando Fezga ka rezervuar në një hotel afër aeroportit 25 dhoma dyshe për stafin e kontrollorëve.

Muhir Muzini me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve, evidentohet duke orientuar punonjësit e tjerë për mënyrën e përpilimit të formularit të paaftësisë së përkohshme të punës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se mbi 20 kontrollorë të tjerë u shoqëruan gjatë natës, por janë lënë të lirë mëngjesin e sotëm, ndërsa Armando Fezgës, Flora Ndrecës dhe Muhin Mezinit u është komunikuar zyrtarisht urdhër-ndalimin.

Gjatë marrjes në pyetje, kontrollorët e shoqëruar kanë mohuar se janë përfshirë në organizimin e një greve, por secili prej tyre ka thënë se e ka pasur të pamundur të shkojë në punë për shkak të stresit dhe për shkak të situatës së krijuar.

Tv Klan