Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dënoi dhunën e përdorur në protestën e së shtunës të organizuar nga opozita, si dhe mbishkrimet me të zezë në murin e pallatit ku jeton ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchard. Delegacioni i Bashkimit Europian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje.

“Me lexim Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Duke pasur parasysh protestat e shpallura sot dhe në ditët e ardhshme në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut.”

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, e ka quajtur sulmin ndaj banesës së ambasadorit të OSBE si kriminale për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

“Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtpërdrejte për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrsesi as Shqipëria e tanishme. Kjo është Shqipëria e një grupi rrugë-humburish politik dhe huliganësh kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit.”

Sipas ministrit të Jashtëm, veprimi ndaj banesës së ambasadorit  Borchard  është urdhëruar nga drejtuesit e protestës që kanë humbur kontrollin e vetes dhe duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë.

Tv Klan