PS-PD thërrasin Ministren Xhaçka në Këshillin e Mandateve




PS-PD thërrasin Ministren Xhaçka në Këshillin e Mandateve

15:52 01/07/2022

Opozita kërkon heqjen e mandatit. PS: Nuk ka përfituar asnjë qindarkë

Maxhoranca dhe opozita ranë dakord që të thërrasin në mbledhjen e radhës së Këshillit të Rregullores dhe Mandateve Ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Demokratët kërkojnë heqjen e Mandatit të Ministres Xhaçka me argumentin se në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesit përmes bashkëshortit të saj ka përfituar pronë shtetërore në bregdetin e jugut.

“Kjo është pasuri e ministres dhe deputetes Olta Xhaçka. Ministrja ka 50% të fitimeve nga veprimtaria fitimprurëse lidhur me këtë prone, është duke kryer një veprimtari fitimprurëse me pasuri të shtetit”, tha deputeti i PD, Gazment Bardhi.

Por ky pretendim i opozitës u hodh poshtë nga maxhoranca.

“Kërkesa juaj nuk është e bazuar në parashikimin e Kushtetutës”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.

“Në asnjë dokument që ju keni paraqitur nuk rezulton emri i Olta Xhaçkës”, u shpreh deputetja e PS, Klotilda Bushka.

Krahas vënies në lëvizje të Këshillit të Rregullores, demokratët kanë paralajmëruar edhe mbledhjen e firmave për ta çuar në Gjykatën Kushtetues mandatin e Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, të cilën opozita e akuzon se përmes një VKM-je qeveria i ka dhënë për 30 vjet partneres amerikane të vëllait të saj në përdorim një plazh në Dhërmi.

Tv Klan











Të ngjashme