Bajram Dule me profesion specialist edukimi në institucionin e vuajtjes së dënimit, IEVP Lushnje-Kosovë e Madhe tregon, se nuk është paguar për periudhën Dhjetor 2020 – Prill 2021 për shërbimet drejt Elbasanit, ku merrte pjesë në seancat gjyqësore. Ai është ankuar pranë emisionit Stop në Tv Klan për këtë problem.

Bëhet fjalë për 190 mijë Lekë të vjetra, që tashmë si pensionist i nevojiten. Bajrami thotë se në këtë situatë vazhdojnë të punojnë edhe kolegët e tij, por ata kanë frikë të flasin, sipas tij, se mos humbasin vendin e punës.

Prej 28 vitesh kam punuar në sistemin e burgjeve në burgje të ndryshme dhe 3 vitet e fundit në IEVP Kosovë, Lushnje. Kemi patur për detyrë që të ndiqnim seancat gjyqësore që zhvilloheshin për të dënuarit për probleme të ndryshme që ata kishin. Gjithmonë të autorizuar nga drejtori i institucionit.

Gjyqet zhvilloheshin në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan. IEVP normalisht duhet të na shoqëronte me mjetin e institucionit ose në pamundësi të na jepte paradhënie për shpenzimet e rrugës. Shpenzimet e rrugës i kam bërë me lekët e mia dhe jemi shlyer pothuajse normalisht por jemi shlyer deri në fund të Nëntorit të vitit 2020. Ndërsa që nga Dhjetori 2020 deri në 9 Prill 2021 duke na mbajtur me gënjeshtra nuk na kanë shlyer asnjë qindarkë edhe pse këto ne i hiqnim nga xhepi dhe kryenim punën e shtetit.

Në total unë kam bërë për periudhën nga Dhjetori 2020 deri në 9 Prill 2021, 19 rrugë, llogaris 190 mijë Lekë të vjetra. Sot unë jam pensionist dhe ato lekë më duhen, më bëjnë shumë punë si pensionist. Në qoftë se do isha në punë nuk e ngrija dot zërin se mund të më hiqnin nga puna ashtu si po hezitojnë ish-kolegët e mi me frikën se mund t’i heqin nga puna po ta ngrenë problemin”, thotë denoncuesi Bajram Dule.

Emisioni Stop shkoi në këtë institucion ku protokolloi një kërkesë zyrtare me shkrim për zgjidhjen e problemit.

Pas kërkesës zyrtare për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, nga IEVP Lushnje-Kosovë e Madhe na u tha se do të ketë zgjidhje me çeljen e buxhetit të vitit 2022 dhe kushdo që ka detyrime të prapambetura do t’i marrë. /tvklan.al