Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia do të ndërmarrë masa për t’iu përgjigjur zgjerimit të NATO-s në vende kufitare me Rusinë.

Në komente të bëra për një dokumentar të realizuar nga kineasti amerikan Oliver Stone, i cili transmetohet këtë javë nga televizioni rus REN-TV, zoti Putin aludon se aneksimin i Krimesë u nxit nga shqetësimet për fatin e Sevastopolit ku ndodhet flota ruse e Detit të Zi.

Presidenti Putin tha se shfaqja e forcave amerikane dhe të NATO-s në Sevastopol do të kishte qenë “tepër serioze”.

Ai shtoi, siç duket duke iu referuar mundësisë që Ukraina do të antarësohet në NATO “Kur një vend bëhet anëtar i NATO-s, e ka shumë të vështirë t’i rezistojë presionit nga një vend i madh si Shtetet e Bashkuara, udhëheqësi i NATO-s”.

Pasi një vend futet në NATO, tha zoti Putin, “çdo gjë” mund të shfaqet në atë vend, përfshirë një sistem për mbrojtjen nga raketat, baza të reja dhe një sistem sulmues me raketa.

“Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Ne duhet të marrim masa reaguese, duhet t’i kërcënojmë këto objekte që për mendimin tim përbëjnë kërcënim për ne,” tha ai.

“Nuk e kuptoj gjithnjë logjikën e partnerëve tanë,” shtoi zoti Putin. “Nganjëherë më duket se ata kanë dëshirën t’i nënshtrojnë, t’i mbajnë nën disiplinë pjesëtarët e kampit perëndimor, kampit të ashtu-quajtur Atlantik. Kjo kërkon ekzistencën e një armiku të jashtëm. Me gjithë frikën që krijon, Irani nuk e përmbush këtë rol”.

Ndërkaq, agjencia ruse e lajmeve Interfax njoftoi të hënën se ushtria ruse ka dislokuar raketa moderne Bastion për mbrojtjen e vijës bregdetare në Kaliningrad, një zonë e banuar me rusë në Detin Baltik, mes Polonisë dhe Lituanisë.

Po të hënën, kreu i komitetet të mbrojtjes pranë Këshillit Federal rus tha se raketa balistike Iskander dhe raketa të mbrojtjes ajrore S-400 do të vendosen në Kaliningrad, skaji më i largët perëndimor i territorit rus./ tvklan.al