Policia e Tiranës ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti, i cili mund të kishte pasoja tragjike. Mësohet se një 20-vjeçar me iniciale A.G. është vënë në pranga pas ka qëlluar me armë drejt mjetit të parkuar të një kushëriri të tij.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes të arrestuarit dhe dy kushërinjve, E.D. dhe A.D., në një lokal. Pas kësaj i riu ka shkuar në banesë dhe ka marrë një armë gjahu, të cilën e posedonte me leje gjyshi i tij dhe ka qëlluar drejt mjetit në pronësi të A.D.

“Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua arma e zjarrit çifte dygrykëshe, 2 automjete, 2 armë të ftohta dhe 1 sasi fishekësh./tvklan.al