Pothuajse tre javë pas shpërthimit që vrau 7 minatorë qymyrguri në Meksikë, qeni i një prej viktimave shkon çdo ditë në vendin ku pronari i tij i ndjerë ndërroi jetë. Gonzalo Cruz, 53 vjeç, mori qenin Cuchufleto gjashtë muaj më parë dhe që nga momenti që ai u fut në familje, qeni shoqëronte Cruz çdo ditë në mëngjes kur ai shkonte tek miniera.

“Ai ikte me burrin tim çdo mëngjes. Madje është futur në minierë bashkë me të. Nuk kishte frikë nga errësira. Në disa raste dilte jashtë dhe e priste aty”, ka treguar bashkëshortja e viktimës, Sandra Briseno.

Zakonisht qeni kthehej në shtëpi kur Cruz punonte, por në disa raste kur shikonte që i zoti ishte me vonesë shkonte me shpejtësi në minierë. Por gjithçka ndryshoi më 4 Qershor, kur miniera u rrëzua duke vrarë 7 persona, përfshirë edhe Cruz. Gruaja e tij tha se Cuchufleto e kishte kuptuar që i zoti nuk kishte shkuar në shtëpi dhe ishte nisur vetë drejt minierës. Por atje gjeti punëtorët e kërkim shpëtimit.

Qeni qëndroi pranë minierës për 2 ditë, derisa u nxorr trupi i pajetë i Cruz. Që nga momenti i vdekjes së pronarit të tij, qeni kalon ditë të tëra në dyert e minierës duke pritur që të kthehet i zoti.

“Ndoshta mendon se bashkëshorti im është gjallë. Kthehet përreth dhe vjen sërish e ulet. Një ditë qante dhe rënkonte sikur të kishte ndonjë dhimbje. Është dhimbja që ndjente për mungesën e bashkëshortit  tim”, ka treguar e veja e Cruz./tvklan.al