Situatë problematike në veri, evakuohen dhjetëra familje

Qindra banesa të përmbytura, dhjetëra familje të evakuuara dhe mbi 4300 hektarë tokë nën ujë si pasojë e përmbytjeve. Në orët e mbrëmjes pati një përmirësim të situatës si pasojë e ndërprerjes së reshjeve, por gjendja mbetet problematike sidomos në Shkodër dhe Lezhë. Kjo ishte pamja në Shkodër pasditen e së hënës Në rrugën e Obotit niveli i ujit arrin deri në 70 cm. Ujësjellësi Oblika 1 mbetet jashtë funksionit.

Përmbytje ka edhe në njësitë administrative Dajç, Velipojë dhe Guri i zi. Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre.

Si pasojë e përmbytjeve 540 banesa u përfshinë nga uji. Mbi 240 efektivë të forcave të armatosura, si dhe 25 automjete janë përqendruar në zonat e përmbytura.

Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

12 banesa janë të përmbytura në Malësinë e madhe dhe Vaun e Dejës. Probleme ka edhe në Lezhë ku më të prekura janë njësitë Dajç, Blinisht, Balldren dhe ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Për momentin situata aty është e qëndrueshme, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet për shtim të reshjeve të shiut. Edhe në Krujë rezultojnë të përmbytur 150 HA tokë si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm.

Probleme ka edhe në zonën e Kënetës në Durrës. Në qytetet bregdetare është ndaluar deri të martën dalja e mjeteve të vogla lundruese.

Tv Klan