Ceremonitë pezullohen 6 orë për shkak të fluksit

Radha për homazhe tek trupi i Mbretëreshës Elizabeth II në Londër ka arritur përmasa të paprecedenta. Vargu i vizitorëve ka arritur në 8 kilometra, ndërsa familja mbretërore pezulloi vizitat për 6 orë, pasi e ka të pamundur të menaxhojë fluksin.

Numri i qytetarëve që presin të bëjnë homazhe tek trupi i Mbretëresës Elizabeth II në Londër ka kapërcyer çdo parashikim.

Familja mbretërore njoftoi se radha ka arritur një gjatësi rekord deri në 8 kilometra dhe shtrihet nga ndërtesa e parlamentit, përgjatë lumit Tamiz, deri në parkun Southwark në juglindje të kryeqytetit.

Në pamundësi për ta menaxhuar mirë radhën e pazakontë, familja mbrerëtore vendosi të pezullojë vizitat për 6 orë, për t’u dhënë mundësi punonjësve të shërbimit të riorganizojnë punën.

Por qytetarët thonë se pritja është shumë e gjatë dhe ka prej tyre që ankohen se kanë pritur gjatë gjithë natës, e deri 14 orë për të kryer homazhe. Në radhë nuk ka vetëm londinezë, por nga e gjithë Britania e Madhe, e madje edhe shtetas të huaj, adhurues të familjes mbretërore britanike dhe Mbretëreshës Elizabeth II, që mbretëroi më shumë se pararendësit e saj për 70 vite.

/Tv Klan