Sipas analistit Robert Rakipllari, kryeministri Edi Rama e ka menaxhuar në dy faza situatën e menaxhimit pas tërmetit. Sipas tij në fillim, kreu i qeverisë i është dukur në panik dhe i përfshirë emocionalisht me ngjarjen.

Gjithashtu sipas tij, ai u përpoq që me propagandë të mbulonte problemet me menaxhimin e situatën pas tërmetit.

“Për mua Rama e ka menaxhuar në dy faza. Në fazën e parë ka qenë në panik dhe në emocion. Po themi java e parë post tërmetit Rama m’u duk i përfshirë, i trembur nga një ngjarje që nuk e priste askush dhe duke pasur parasysh se çfarë gjërash shteti shqiptar kishte mundësi të bënte në ato momente u përpoq që me propagandë të mbulonte deficitet në pjesën e menaxhimit të parë. Po ta kemi parasysh emergjencat tona janë në atë derexhe që ishin”, tha Rakipllari.

Sjelljen e kryeministrit, Rakipllari e përcaktoi si aktor të një niveli të lartë. Kjo pasi kreu i qeverisë Rama e perfeksionoi pjesën e vet të propagandës dhe e ktheu këtë gjë në një moment për të përfituar politikisht nga situata.

Aktor hollivudi do ta përcaktoja Ramën unë. Aktor me nivel të lartë, jo nivel shqiptar. Nëse në pjesën e parë ishte në panik i përfshirë nga ngjarja, pjesën e dytë të menaxhimit të krizës Rama e perfeksionoi pjesën e vet të propagandës dhe nga momenti për të mos humbur politikisht e ktheu këtë gjë në një moment për të përfituar politikisht dhe për të dalë me petkun e shpëtimtarit nga kjo histori”, tha Rakipllari, i cili shtoi se nuk ka përplasje mes Ramës dhe Veliajt./tvklan.al