Rama: Dekreti i Greqisë për 12 miljet nuk prek zonën e kontestuar



Rama: Dekreti i Greqisë për 12 miljet nuk prek zonën e kontestuar

16:01 29/12/2020

Vaksina mbërrin në Janar

E miratuar 4 vite më parë dhe që i ktheu hallkat kryesore të gjyqësorit në jofunksionale, Edi Rama zgjodhi pikërisht Reformën në Drejtësi si çështjen e parë në krye të axhendës së arritjeve të vitit 2020.

“Ata të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë pasuri do të përgjigjen përpara drejtësisë. Fjala kyç në këtë proces është durim”.

Në konferencën përmbyllëse vjetore, kryeministri iu përgjigj interesit të medias për riçeljen e debatit për çështjen e detit, pasi Greqia nxori dekret presidencial për t’u shtrirë me 12 milje në detin Jon. Rama e cilëson absurd mendimin për të reaguar zyrtarisht për këtë të drejtë të shtetit grek, siç thotë, ndërsa debatin brenda vendit e sheh të nxitur nga presidenti e opozita.

“Kaq idiotikisht banale, sa ç’përshkruhet nga këta të pafe, pa atdhe, pa iman, vetëm për të nxitur urrejtje, qoftë nga Lalëzi, qoftë nga Presidenca, e qoftë nga Prishtina. O Unë jam agjent turk që uftoj me Greqinë, o jam agjent grek që luftoj me Turqinë, o pastaj jam ai që jam në fakt, që nuk negocioj në asnjë rast dhe për asnjë rrethanë të drejtat e shqiptarëve”.

Për vaksinën flet me optimizëm për arritjen e marrëveshjeve më të paktën 2 nga 3 kompanitë prodhuese.

“Jemi në faze të avancuar me Pfizer. Sot kemi kontaktin e dytë për Astra Zeneca”.

Reagimin e ambasadës ruse që i shprehu gadishmërinë në rrjetet sociale drejtorit të komunikimit të Ramës për të ofruar vaksinën e prodhuar në Rusi, kryeministri e cilëson provokim.

“Mendova se ishte një meme pasi për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla”.

Pasi bëri një analizë të detajuar të gjithë arritjeve qeveritare, Rama e cilëson Shqipërinë një vend më të sigurt, me më pak vrasje, me numrin më të ulët të viktimave nga Covid-19, me më shumë vëmendje me sipërmarresin, qytetarin, mjekun, mësuesin e pensionistin, por dhe me investime të mëdha në infrastrukturë, që do i japin vendit 3 aeroporte të reja.

Për të gjitha këto Rama është i sigurt se do marrë pa asnjë mëdyshje mandatin e tretë qeverisës më 25 Prill.

“Kush është alternativa? Zoti na ruajt. Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Lulëzim Basha, Nard Ndoka, Fatmir Mediu deri tek tymi i doganës. Këto janë arsyet pse konferencën e fundvitit të ardhshëm do ta kemi përsëri bashkë këtu. Por natyrisht mes meje,  jush dhe kësaj që thashë është edhe dikush tjetër”.

Tv Klan






Të ngjashme