Edi Rama thotë se propozimi i Lulzim Bashës për të djegur mandatet mund të jetë bllof i radhës i kryetarit të demokratëve. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se Kryeministri ka folur për mungesë konsensusi brenda vetë opozitës për propozimin e Bashës.

“Opozita dështoi me sukses të plotë në orvatjen e saj të dëshpëruar. Tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të Qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Luli e di këtë por luan bllofin”.

Si në grup ashtu dhe në mbledhjen e Kryesisë që u zhvillua më herët, Rama i ka porositur deputetët dhe drejtuesit e qarqeve të vazhdojnë punën për përgatitjen e zgjedhjeve të pandikuara nga vendimet qe merr opozita.

“Hyjnë nuk hyjnë ata në zgjedhje, edhe pse unë them që do hyjnë pasi të bëjnë deri në minutën e fundit sikur s’duan, ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, po besimin edhe të më shumë qytetarëve se sa në zgjedhjet e shkuara”.

Pas mbledhjes së grupit, deputetët socialistë komentuan si të pavend djegien e mandateve nga kolegët e opozitës. Pas incidentit të enjten e kaluar në Parlament ku Edi Paloka sulmoi me një shiringë me bojë Kryeministrin, Tv Klan mësoi se socialistët po punojnë për të tjera ndryshime në rregulloren e Parlamentit.

Ulsi Manja dhe ministrja e Drejtësisë janë pjesë e një grupi pune që do të propozojnë brenda javës sanksione të forta në rregulloren si për deputet që përdorin dhunë ashtu dhe për ata që ofendojnë me fjalë të rënda.

Tv Klan