Zyrtarisht Ilir Kerni nuk është më Drejtor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në mbledhjen e së mërkurës qeveria miratoi dorëheqjen e parevokueshme të Ilir Kernit nga detyra e drejtuesit të TKOB.

Kur kanë kaluar katër ditë nga dorëzimi i dorëheqjes, as Ilir Kerni dhe as Ministria e Kulturës nuk kanë dhënë asnjë deklarate zyrtare mbi arsyet e këtij vendimi, madje në një njoftim të sajin, kjo e fundit deklaroi se dorëheqja është një akt individual vullnetar dhe si i tillë nuk komentohet.

Përveç buxhetit të ulët të cilin Ilir Kerni e denoncoi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, një tjetër arsye mund të jetë edhe përplasja me Abigela Voshtinën, Drejtoren Artistike në Teatrin Kombëtar të Operas se Baletit.

Në Maj të këtij viti ajo dorëzoi një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës për të ankimuar vërejtjen për përjashtim nga puna që i kishte bërë Ilir Kerni.

Në padinë e saj Abigela Voshtina pretendonte se nuk ishte ndjekur procedura e parashikuar në rregulloren e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Pretendimi u rrëzua nga gjyqtari Avni Sejdi, me argumentin se nuk ishte i bazuar në ligj dhe për mungesë provash. Dorëheqja e Ilir Kernit shkaktoi një reagim të madh të komunitetit të artisteve.

Thuajse e gjithë trupa e operës, baletit, korit dhe instrumentistëve të TKOB nënshkruan një peticion ku i kërkuan Kryeministrit Edi Rama të mos pranojë dorëheqjen e Ilir Kernit me argumentin se është garancia në luftën kundër nepotizmit, klientelizmit dhe padrejtësisë, peticioni që rezultoi se nuk u morr në konsideratë. /TV KLAN