Historike e cilësoi Kryeministri Edi Rama këtë 30 Qeshor. Në një dalje për mediat, ai tha se “sot fitoi e ardhmja, shteti, forca e politikës, qytetaria, shpresa. Fitoi me të drejtë dhe dinjitet Shqipëria e nesërme europiane”.

“Dua të jem i qartë për të gjithë qysh sot. Ne nuk fituam ndonjë betejë zgjedhore të radhës për mandatin e ardhshëm të bashkive, por fituam përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Nga sot, Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh dhe bojkot zgjedhjesh dhe fronte armiqësore politike, kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur. Nga sot, pësimi i atyre që guxuan ta ndërmarrin aventurën e gjysmës së mbrapshtë të këtij viti është një mësim jo vetëm për ata, por për të gjitha partitë politike shqiptare dhe përgjithmonë.

Kryeministri tha se shqiptarët këtë të diel folën njëzëri me gjuhën e paqes dhe e kthyen qytetarisht ditën e paralajmëruar të qametit në një ditë krejt normale të qytetarisë. “U kry për bukuri me një llaf, ajo çka dukej si rruga pa krye”.

“Pas pak hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë e çliruar. Dita e re vjen e ngarkuar me sfidën e re që hija e marrëzisë përçarëse ka lënë pas. Shqipëria nuk e meritoi çka pa e c’dëgjoi këto kohë. Zgjedhësit e këtij vendi nuk e meritonin gjithë atë presion kriminal dhe mizerabël, nuk e meritonte gjithë atë llum të zi të hedhur në mediat e botës, të një qameti që nuk ndodhi. Sot populli foli qartë dhe bukur. Qoftë duke shkuar të votojnë, apo jo, folën me gjuhën e paqes. Ata kthyen ditën e paralajmëruar të qametit në ditë paqeje. U kry për bukuri me një llaf!”

Fitoren e sotme e cilësoi më të vështirën, ndërsa një falenderim dhe ndjesë e pati edhe për partnerët ndërkombëtarë.

“Ishte fitore e vështirë, mbase më e vështira, sepse nuk luftuan mes vedit, por luftoi vetë sistemi i brishtë demokratik. Sot 30 Qershori që dukej sikur nuk do vinte kurrë, po ikën paqësisht. Faleminderit miqve e partnerëve të palëkundur të Shqipërisë demokratike. Faleminderit SHBA-ve dhe përfaqësisë së saj në Tiranë, BE-së, faleminderit OSBE-së dhe çdokujt tjetër dhe përfaqësuesit të nderuar që dhanë një dorë në këtë betejë absurde. Jo vetëm faleminderit, por edhe ndjesë kujtdo nga miqtë e huaj që u bënë objekt i sulmeve të halldupëve që na turpëruan të gjithëve”./tvklan.al