Rama i përgjigjet Wadephul: Kuvendi është sovran



Rama i përgjigjet Wadephul: Kuvendi është sovran

13:34 15/07/2020

Zv/kryetari i grupit të CDU-CSU-së në Bungestagun gjerman, Johann Wadephul i kërkoi një ditë më parë mazhorancës dhe Kuvendit të Shqipërisë që të votojë pa asnjë ndryshim draftin e Kodit Zgjedhor të dakordësuar në mes palëve në Këshillin Politik.

Në një komunikim për mediat këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar deklaratën e tij zhgënjyese dhe përçmuese ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

Rama tha se zoti Wadephul është mik i Lulzim Bashës, ndërsa shtoi se deklarata e tij se mos respektimi i marrëveshjes së 5 Qershorit mund të cënojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk qëndron. Kryeministri Rama tha se Kuvendi është sovran dhe askush nuk mund të dalë mbi të.  

“Unë besoj që është koha që të gjithë të shikojmë faktet, t’i lëmë mënjanë aktorët, pëlqimet, paragjykimet, gjykimet e bazuara mbi fjalë apo dizinformacion. Çfarë po bën Shqipëria? Mos vallë Kuvendi po merr nismë për t’i dhënë pushtet të pakufizuar dikujt? Jo! Çfarë po bën Shqipëria? Po u thotë qytetarëve që tani do të votoni edhe për deputetët që iu pëlqejnë dhe kjo përbën arsye që perspektiva e Shqipërisë të errësohet? Nuk besoj. Çfarë po bën Shqipëria? Po heq koalicionet? Në asnjë mënyrë jo. Po krijon një kuadër ku koalicionet do të funksionojnë si në gjithë Europën…” u shpreh Rama. /tvklan.al




Të ngjashme