Orari i ri do të qëndrojë edhe javës tjetër

Fasha e orarit 05:00-13:00 do të vazhdojë edhe javës që vjen. Këtë e konfirmoi vetrë kryetari i qeverisë Edi Rama. Nëpërmjet një videoje në Facebook, kryeministri Edi Rama tha se përtej këtij orari askush nuk do të lejohet të dalë nga shtëpia.

“Nga tani 1 e drekës e shtunë deri të hënën 5 e mëngjesit do të jetë shtetrrethim total dhe nuk do të dalë askush nga shtëpia përveç policisë, ushtrisë dhe shërbimeve më kritike të shtetit. Nuk do të jetë hapur asnjë lloj dyqani dhe asnjë lloj qepeni në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Orari i ri 05:00-13:00 do të qëndrojë gjatë gjithë javës që vjen për të gjithë njësoj. Administrata do të punojë po njësoj nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të drekës dhe kush punon në zyrë nuk do të lejohet të përdorë automjet. Dyqanet, farmacitë, bankat do të shërbejnë brenda kësaj fashe orari. Nda ora 1 e drekës deri në 5 të mëngjesit, vendi do të jetë shtëpi e mbyllur dhe të gjithë në dhomat e tyre”.

Kryeministri theksoi se lufta ndaj personave që thyejnë ligjin e luftës do të bëhet më ashpër. Ai u shpreh se ata do të konsiderohen si tradhtarë dhe do të futen në një listë të zezë. Gjithashtu atyre do t’iu mohohet ndihma financiare pas përfundimit të kësaj situate.

“Qëndrimi në vend ulur dhe natyrisht ecja me të tjerë nëpër lagje apo nëpër rrugë gjatë orarit të lejuar për lëvizje nuk do të tolerohet më paqësisht. Nuk do të mjaftojë më me gjoba, me këshilla dhe me sensibilizim. Policia dhe ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi edhe zonën më të kuqe të të gjithë vendit, duke identifikuar, fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarësh çdo individ që merr diell, luan domino apo bën gallatë me ata që i ka si vetja në oborret e lagjes. Këta do ta paguajnë shtrenjtë. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta sepse do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore, do t’u mohohet çdo ndihmë pasojë e luftës nëse janë në kategorinë e atyre që duan të rrinë në shtëpi se nuk shkojnë dot në punë. Do t’u mohohet çdo ndihmë financiare për të paktën një vit nëse nuk kanë punë dhe duan t’i prishin punë dhe jetë të gjithëve. Çdo lloj burse apo ilaçe të rimbursueshme në qoftë se janë edhe pensionistë, por po më vjen tmerrësisht keq që edhe pensionistët që thyejnë ligjin e luftës do të ndëshkohen”.

Të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet që përdoren në rast të shkeljes së ligjit në tubime të paligjshme, deri tek uji apo gazi lotsjellës po të jetë nevoja. E mbështes këtë vendim të policisë së shtetit dhe jam i bindur”, tha Rama./tvklan.al