Në fjalën që ka mbajtur në Forumin e Prespës në Ohër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se integrimi në BE nuk është në dorën e vendeve të Ballkanit, por te vetë unioni. Megjithatë, pavarësisht faktit që vendet anëtare po vonojnë çeljen e negociatave, Rama tha se kjo nuk pengon që vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë me njëra tjetrën.

“A do të jemi pjesë e BE apo jo kjo nuk varet prej nesh. Nuk është në duart tona. Nuk jemi ata që vendosim. Megjithatë ne mund të bëjmë shumë punë derisa kjo pjesë e dytë e Samuel Becket të refuzohet. Ne mund të bashkëpunojmë në rajon, mund të bëjmë presion që çështjet mund të jenë më të mira për përmirësimin e ekonomive, për krijimin e mundësive për të rinjtë tanë”.

Nëse vendet e Ballkanit qëndrojnë të izoluara atëherë janë të vogla, tha Rama. Ai shtoi se të bashkuar, Ballkani Perëndimor bëhet i madh.

“Të izoluar dhe duke mbetur me shpinë drejt rajonit mund të themi se jemi tepër të vegjël, por të bashkuar jemi në masë të arsyeshme mjaftueshëm të mëdhenj. Ta falenderojmë Zotin që nga njëra anë Evropa nuk mund të na tregojë se çfarë të bëjmë në këtë rajon dhe nga ana tjetër ne mundemi përmes veprimeve tona t’ua lehtësojmë jetën të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. Pse duhet të presim që të bëhemi vende anëtare që të bëjmë tregti në këtë rajon dhe ajo të rrjedhë pa barriera, pa pritje mijëra vjet?  Pse duhet të bëhemi pjesë e BE që të bëjmë lëvizjen e njerëzve, xhiros kapitaleve dhe mallrave, të kemi një sportel në kufij që t’i kthejmë kufijtë të hapura dhe të lira për njerëzit tanë. Duhet të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim. Ne do e bëjmë këtë me zbatimin e reformave, me standarde çdo vit. Nëse BE do ta marrë vendimin që e presim, por kjo tjetra varet prej nesh, dhe është e rëndësishme të kuptohet që njerëzit e këtyre vendeve kanë vështirësi në kalimin e pikave kufitare”, tha Rama./tvklan.al