“10 mld Euro për të investuar në mandatin e tretë”

Për të shkuar në qarkun e Dibrës ku vijoi takimet e tij elektorale, kreu i socialistëve zgjodhi të kalojë nga rruga e Arbërit që është në ndërtim.

Ndërsa e cilësoi një premtim të mbajtur, të rinjve matianë u tregon këndvështrimin e duhur për ta parë.

“Jo si rrugë për të shkuar në Tiranë për të parë a janë bërë pjeshkët por si rrugë që Dibrën e kthen në jastikun e gjelbër të Tiranës”.

Gjithashtu ai kërkon atyre që edhe politikën ta shohin si mjet për të ndryshuar të ardhmen e tyre.

“Nuk është e vërtetë që s’ka ç’ju duhet politika, me politikë arrihej gjithçka”.

Emigrantëve të kësaj zone që janë jashtë ju tregon mundësitë që qeveria e tij do t’ju ofrojë për t’u kthyer në atdhe.

Banorëve të Peshkopisë iu kërkon votën për ta çuar vendin në një nivel tjetër zhvillimi.

Mandati i 3 është momenti i një kapërcimi të madh, vendimtar në rrugën drejt asaj që unë e kam parë si një ëndërr me sy hapur kur kam lënë emigracionin dhe kam ardhur në Shqipëri. Arsyeja pse kurrë nuk jam dorëzuar është sepse ajo majë që unë e kam parë dhe e shoh çdo ditë dhe më nxjerr çdo ditë nga shtëpia është sot e mbërritshme, është sot aty. Thjesht duhet të rezistojmë dhe mos dorëzohemi përpara tundimit që t’i biem shkurt. Nuk ka asnjë mrekulli që ngjit drejt majës përveç punës. Ne kemi bërë shumë rrugë deri këtu. Nuk patëm vetëm pandeminë. Na ra dhe fatkeqësia e një tërmeti katastrofik. Kur earritëm t’ja dalim edhe kundër tërmetit edhe kundër armikut të padukshëm, të jemi sot në pjesën më të lartë të klasifikimit për vaksinimin masiv patjetër që mund t’ja dalim ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, ta transformojmë më tutje jetën e njerëzve, duke mos rënë pre e atyre politikanëve e që flasin e premtojnë çudira. Shqipëria e vitit 2030 nuk ka asnjë arsye të mos jetë kampione e Ballkanit. Brenda mandarit të tretë do t’i çojmë eksportet shqiptare mbi 1 miliard”.

Ndërsa prezantoi pjesë të planit të tij për vitet e ardhshme, u angazhua që ta bëjë Shqipërinë kampione të ballkanit në disa fusha.

Premtimin e kryedemokratit për të hapur Universitet në Peshkopi e konsideroi kthim pas, ndërsa u angazhua për të sjellë universitetet e huaja në Shqipëri. 

Dëgjova që Luli kishte thënë do hapim Universitetin në Peshkopi. Prapë nga e para. Ne nuk do hapim Universitet, do të bëjmë që vajzat dhe djemtë e Dibrës të shkojnë në Universitet në Tiranë. Universitetin në Peshkopi e hap Luli edhe dekan do keni Xhelal Mziun”.

Përveç tyre tha se do të hapë edhe disa porta të tjera për vendin, detare dhe ajrore.

Për të bërë të mundur këto objektiva thotë se janë parashikuar edhe fondet që nevojiten per investime.

“Kemi 10 miliardë për të investuar në këtë mandate”.

Pjesë të listës së synimeve për mandatin e tretë ka edhe shndërrimin e Shqipërisë në një eksportuese të energjisë në Ballkan.

Simpatizantëve të PD-së që i kërkuan të largohet iu përgjigj në këtë mënyrë.

“Ja doli një atje Rama ik thotë, ku të iki? Doli një atje në ballkon. I erdhi mesazhi nga pllaka e gramafonit. Ku të shkoj more. O Zot. Në fakt thonë të vërtetën, ik se na plase se nuk të mundim dot”.

Ndërsa premtimet e opozitës për uljen e sigurimeve shoqërore dhe rritjen e pensioneve i konsideron mashtrime.

Tv Klan