Muaji Shkurt shënon një tjetër rekord përsa i përket hyrjeve në vend të udhëtarëve.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar të dhënat më të fundit, që tregojnë se nga aeroporti i Rinasit kanë hyrë në Shqipëri 577,515 udhëtarë, një shifër kjo 69% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Edhe Janari theu rekord në krahasim me vitin e kaluar, duke regjistruar kështu në total mbi 1.2 milionë udhëtarë në Shqipëri në vetëm dy muajt e parë të 2024.

“Në Shkurt 2024, mirëpritëm 577,515 udhëtarë, një rritje me 69% nga viti i kaluar. Nga janari deri në shkurt 2024, shifrat u rritën në 1,202,785, duke shënuar një kapërcim me 59%! Bukuria e Shqipërisë po thërret, ejani dhe shikoni pse të gjithë po udhëtojnë drejt nesh”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama u bën thirrje të gjithë atyre që janë në Gjermani, të ndjekin në Berlin panairin e turizmit në Europë, ku Shqipëria ka stendën e saj.

Vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi një shifër prej 10 milionë turistësh duke thyer rekord. Këtë vit, vendi ynë synon ta tejkalojë këtë numër.

/tvklan.al