Rama mesazh për qytetarët, falenderon Bashën dhe kritikon opozitën

Rama mesazh për qytetarët, falenderon Bashën dhe kritikon opozitën

18:46 14/12/2019

Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një video-mesazh të dhënë në Facebook, ka siguruar qytetarët se çdo qindarkë që është mbledhur për personat  e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit do të shkojë për ta, duke premtuar transparencë maksimale.

Nga ana tjetër Rama ka falënderuar kryetarin e opozitës Lulzim Basha për vetëpërmbajtjen e treguar në këtë periudhë sa i takon gjuhës politike, por nuk munguan kritikat për të dhe opozitën për mospranimin e ftesës për t’u ulur në një tryezë të përbashkët për të diskutuar për daljen nga kjo gjendje pas tërmetit, si dhe për sulmin që po i bëjnë qeverisë, atë që ai e ka quajtur “luftë të egër balte”.

“Besoj kemi bërë më të mirën deri në këtë moment, edhe pse e mira s’ka fund dhe me siguri ka pasur të meta dhe gabime, për të kapërcyer nja mal të madh hallesh. Por kemi sistemuar në kohë rekord mijëra njerëz”, u shpreh Rama.

“Dua t’ju siguroj që unë do të bëj çmos që çdo qindarkë e angazhuar për këtë sfidë, të shpenzohet me mençuri dhe ndershmëri, do bëj çmos që transparenca të jetë maksimale. Ju lutëm vetëm të keni besim dhe sa më shumë durim, dhe për çdo akuzë që do të dëgjoni, jo u vodh këtu jo atje, të jeni të bindur se do të kërkoj verifikimin dhe argumentimin e saktë nga ana jonë të çdo kujt që mund të akuzohet, dhe nëse ka bazë do të merren masa që çdo abuzues të shporret nga radha jonë dhe të shkojë në duart e drejtësisë“, iu drejtua ai qytetarëve.

“Kemi angazhuar inxhinierë dhe specialistë për të pacaktuar shkallën e dëmeve, kemi nisur punën për rindërtimin, në bashkëpunim me organizata solidare për njerëzit në nevojë, me Elvisin, Arbrin, Marinin, për shtëpitë në fshat dhe me arkitektë të huaj dhe vendas për planit e rindërtimit për zonat urbane dhe ndërhyrjen tërësore ne Thumanë, ku do të përqendrohemi për një model shembullore rilindjeje, apo për ndërhyrje në Kavajë deri në Lezhë”, deklaron kreu i qeverisë.

“Nuk do të jetë e lehtë t’i bëjmë gjerat shumë mirë dhe shumë shpejt në mënyrë që brenda 2020 askush të mos mbete pa perspektivën e qartë dhe konkrete. Qëllimi im është që brenda 2020 të gjithë banorët e fshatrave që kanë humbur shtëpitë ta gëzojnë Vitin e Ri në një shtëpi të re. Ndërsa brenda 2021 të gjithë banorët që kanë humbur shtëpitë në qytete të jenë në apartamente të tjera.

Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet e Policisë kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli për dëmet e shkaktuar si pasojë e abuzimeve në ndërtim.

Sot janë kryer arrestimet e para, hetimet vazhdojnë. Mos dëgjoni ata që ‘gamgamosin’ përnatë në stendat televizive duke u çjerrë me çehren e vrarë pse nuk ka arrestime, ata nuk dinë çështë punë dhe nuk dinë si bëhet një punë tjetër përveç llafeve ulur në kolltuqet e atyre tendave ku mblidhet si burrat e vjershave të Çajupit.

Një merak dua ta ndaj me ju. Siç e keni parë opozita në këto kohë ka qenë thuajse inekzistente në detyrën e saj, përjashto daljet rutinë të Lulzim Bashës të cilin e përshëndes edhe një herë për vetëpërmbajtje në momentet e vështira për njerëzit, ku u përpoq të mos bëhej i rëndë me fjalorin e tij të politikës së përditshme.

Por nuk mund të mos e kritikoj për refuzimin përsëritur dhe absurd që të japë së bashku me opozitën një dorë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit me njerëzit dhe për njerëzit. Nuk e di pse refuzon por di që refuzimi në një situatë të tillë është mungesë përgjegjësie, për të mos diçka më shumë.

Ama meraku im është se opozita, hë për hë njerëzit rrotull Bashës, ka nisur të japë shenjat e para të një luftë të egër balte. Ku mesa duket do të përpiqet të përdorë gjuhën e baltës për tu helmuar e mërzitur si zakonisht me gënjeshtra,sajesa, shpifje, akuza, apo dhe me gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha në fakt siç thotë dhe një fjalë e mençur, por kjo është puna e tyre dhe e Lulzim Bashës, që me siguri do ta marrë shpjet flamurin e asaj lufte”, tha ai. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi