Nga Çorovoda ku prezantoi kandidatin socialist, Kryeministri Edi Rama foli sërish prerë se kushdo që do të cënojë zgjedhjet, do të ndëshkohet me burg, si dhe nuk do të lejohet të hyjë në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk i kemi krijuar asnjë pengesë, që ata të hyjnë në zgjedhje, përkundrazi dhe nëse do të ishte kështu, atëherë zgjedhjet do të ishin antidemokratike. Por në kushtet kur ata kanë pranuar të kapitullojnë pa luftë dhe kanë vendosur që betejën demokratike ta spostojnë nëpër rrugë, duke u kthyer tamam si ato rrugët e lëna rrugëve të Saliut, atëherë zgjedhjet nuk janë aspak jo demokratike, përkundrazi në 30 Qershor, zgjedhjet janë një moment për të vënë vijën e kuqe midis të shkuarës që ata mishërojnë dhe të ardhmes që në duam për fëmijët tanë”.

Kryeministri foli edhe për përgjimet e Dosjes 339. Ai i ka cilësuar ato shantazh kundër Reformës në Drejtësi duke akuzuar prokurorët se dorëzuan përgjimet tek demokratët.

“Prokurorë të diskritituar, prokurorë me shumë hije në karrierën e tyre kanë preferuar që në vend se t’i hetojnë dhe në vend se të veprojnë menjëherë, të mbledhin të gjitha ato llumëra, t’i bashkojnë në një kazan me kapak të mbyllur dhe ta dorëzojnë kazanin tek Partia Demokratike dhe pastaj nga Partia Demokratike, kapaku të hapet me synimin për të ndotur Shqipërinë”.

Gjatë fjalës së tij para banorëve të Çorovodës, Kryeministri nuk la pa përmendur dhe Presidentin Meta, të cilit i njeh një meritë: “Falenderoj shumë Ilirin që m’i ka treguar kanionet kur bëmë rafting bashkë, por tani e kam mësuar sesi bëhet rafting, kështu që e bëj edhe pa shoqërues”.

Tv Klan