Berisha: Tradhtinë kombëtare Rama e bëri që në 2009 

Kryeministri Edi Rama këmbëngul se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë për kufirin detar. Ai e quan të gjithë debatin një keqkuptim pas deklaratës së kryeministrit grek Mitsotakis me qeverinë e të cilit nuk ka pasur asnjë negociatë.

“Negociatat kanë ndalur kur ndryshoi qeveria. Nuk kanë rifilluar. Presidenti i di zhvillimet deri në atë kohë. Nuk ka zhvillime të reja. Ka ardhur një qeveri e re me të cilën nuk jemi takuar”.

Në një intervistë për emisionin Opinion, Rama mohoi që për këtë çështje të kishte biseduar me homologun grek.

“Me Mitsotakis kam folur vetëm 2 herë. Nje herë për termetin dhe një herë për pandeminë. Jemi takuar 2 herë dhe nuk kemi folur asnjë sekondë për këtë çështje”.

Vërejtjeve të Presidentit dhe akuzave të opozitës, Rama u përgjigjet duke u kujtuar marrëveshjen e 2009-ës.

“Nëse ka një pikë që këta duhet ta qepin është kjo pikë sepse ata e qelbën detin”.

Por për marrëveshjen e 2009-ës të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ish-Kryeministri Sali Berisha i ktheu këtë përgjigje: “Bashkë me Gjykatën Kushtetuese kanë kryer një akt të tradhtisë së lartë kombëtare me atë që bënë. Lexoni vendimin e gjykatës. Në qoftë se gjeni një konkluzion të bazuar në ekspertizë, 100 herë ndjesë u kërkoj. Asnjë ekspertizë”.

Sipas Berishës, është Rama që mashtron me interpretimin e deklaratave të Mitsotakis.

Berisha tha se marrëveshja e 2009-ës u rrëzua për shkak të ndërhyrjeve nga Turqia dhe se ai është i bindur që marrëveshja e re nuk do të jetë më e mirë.

Tv Klan