Rama: Paketa anti-shpifje nuk cënon të drejtën dhe lirinë e shprehjes


Rama: Paketa anti-shpifje nuk cënon të drejtën dhe lirinë e shprehjes

13:07 18/12/2019

“Kufizon lirinë për të shpifur”

Teksa e konsideroi “temë artificialisht të nxehur të ditës”, nga foltorja e Kuvendit Kryeministri Edi Rama tha se paketa antishpifje nuk cënon asnjë fije të drejtën dhe lirinë e shprehjes, por synon që të garantojë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Kryeministri tha se kjo paketë ka si qëllim kufizimin e lirisë për të shpifur.

“Ky ligj nuk e cënon asnjë fije të drejtën e shprehjes, lirinë e opinioneve, të drejtën për të dhënë lajme nga të gjitha burimet e mundshme, asnjë fije. Por ama ky ligj garanton mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të tua (Rudina Hajdarit), kur të ulin dhe të ngrenë sipas qejfit, sepse i në një moment të caktuar mendon me kokën tënd. “

“Qëllimi i ligjit është një kornizë ligjore për të rregulluar dhe disiplinuar veprimtarinë e një xhungle. Është një xhungël skllevërish të pa siguruar, që merren në punë sot dhe hidhen në rrugë nesër. Xhungël që merr para pa fund lart e poshtë dhe nuk paguan asgjë, asnjë detyrim.”

Kryeministri tha më tej se “liria e fjalës, liria e shtypit, liria për të thënë çfarë të duash, është edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë, nuk është vetëm e drejtë. “

Sa i përket gazetarëve të cilët mëngjesin e kësaj të mërkure dolën në protestë para parlamentit për të kundërshtuar këtë paketë, Rama i cilësoi ata shkelës të të drejtave të njeriut.

“Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte ata që janë te dera e parlamentit, ata sot do të ishin të gjithë me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes së drejtave të njeriut. Ata janë shkelës të të drejtave të njeriut, shkelës të drejtës themelore të njeriut që të mos i cënohet në publik integriteti i tij. Janë shkelës të të drejtës dhe të lirisë themelore të njeriut në demokraci për të ndërtuar sipërmarrjen e tij të lirë. Janë shkelës të të drejtës së shoqërisë për të qenë e mbrojtur nga pasojat katastrofike të lajmeve të rreme apo të shpifjes.”/tvklan.al

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi