Gjatë një bashkëbisedimi me studentë në Prishtinë, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për çështjen e reciprocitetit të targave me Serbinë. Kreu i qeverisë tha se Kosova ka të drejtë, ndërkohë që nuk është i vërtetë pretendimi i Serbisë për kërcënimin e qytetarëve serbë në Kosovë. Përkundrazi, sipas Ramës, pakicat kombëtare serbe në Kosovë janë ndër më të përkëdhelurat.

“Sa i përket çështjes në veri, kjo është shumë e qartë në këndvështrimin tim. Mendoj se Kosova ka të drejtë. Çështja e qarkullimit të mjeteve, e targave, është e legjitimitetit të sovranitetit të çdo vendi dhe është një çështje e dakordësuar më parë Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës, ndërkohë që faktikisht këtu është shumë e qartë që serbët e Kosovës jo vetëm nuk kërcënohen nga askush dhe për asgjë, por janë pakicat kombëtare ndër më të përkëdhelurat dhe me të drejtë mendoj unë. Kjo e bën Kosovën të shkëlqyeshme sa i përket trajtimit të tyre. Fakti është që nuk kërcënohen nga shteti i Kosovës, nga policia e Kosovës. Ata janë pengje të një dialogu që kanë mbetur rrugëve dhe të moszgjidhjes përfundimtare të çështjes. Manovrat teatrale me avionë mund të sugjestionojnë opinionin publik serb që mbase kanë nevojë të ushqehen me disponueshmëri ushtarake se kërcënohen vëllezërit, por që nuk kërcënohen aspak, ndoshta mund të sugjestionojnë edhe shqiptarët për luftë. Në Facebook është kollaj, por Kosova e ka fituar luftën kur ju që ishin këtu nuk kishit lindur akoma. Si mund të vazhdojë historia po njësoj”, tha Rama.

Mirëpo kreu i qeverisë tha se ajo që e shqetëson është frika se reciprociteti i targave mund t’i kthehet Kosovës në bumerang njësoj siç ndodhi me tarifën 100%. Prandaj sipas tij, Kosova mund të duket si delja e zezë në botë nëse forcat speciale nuk do të zëvendësoheshin me palët që ulen në tryezë për të dialoguar. Ai u shpreh se marrëdhëniet me aleatët duhet të mbahen të forta dhe të mos lodhen njësoj siç ndodhi me çështjen e tarifës.

“Mendoj që situata është e qartë, por gjëja që më shqetëson është të mos ndodhë si ndodhi me tarifën sepse çuarja e forcave speciale në momentin e parë për t’u siguruar që nuk ndodh diçka e papëlqyeshme, diçka lënduese për njerëzit, qoftë për ata që shërbejnë dhe ata që shërbehen nuk më duket shpallje lufte apo provokim. Mbajtja e forcave speciale për aty për një kohë të gjatë do të ishte bumerang siç ishte tarifa. Në fillim isha dakord sepse ishte një klithmë për t’u dëgjuar. U desh tarifa për t’u ngritur veshët njerëzve në BE. Çfarë ndodhi me tarifën ishte që tarifa nga në klithmë u kthye në litar që i lidhi këmbët Kosovës dhe i bëri të dukeshin si delja e zezë për shkak se u mbajt gjatë palidhje. U kthye në instrument për të bërë politikë në Kosovë. E njëjta gjë do të ndodhte me forcat speciale nëse nuk do të zëvendësoheshin me forcat në tryezë. Kosova është fëmija i bashkësisë ndërkombëtare. Ka lindur nga një marrëdhënie ideale në moment të caktuar mes dëshirës ekstreme për liri që u përkthye nga krijimi i UÇK dhe mbështetja e një bashkësie ndërkombëtare që as nuk bëhej fjalë që pa to Kosova të pavarësohej. Këta aleatë duhet t’i mbajmë afër dhe nuk duhet t’u japim shkak që të ftohen, që të zhgënjehen dhe që të lodhen siç ndodhi për fat të keq me historinë e tarifës. Politika e jashtme nuk mund të bëhet politikë e brendshme”, tha Rama./tvklan.al