Në një dalje për mediat pas përfundimit të Këshillit Politik ku opozita jashtë parlamentit nuk mori pjesë, kryeministri Edi Rama u shpreh i keqardhur, ndërsa e quajti absurde arsyen e mosprezencës së tyre.

Kreu i ekzekutivit tha se ditën e nesërme, sikurse dhe pritej, do të miratohen ndryshimet e marrëveshjes së bërë më 5 Qershor, teksa tha se i druhet faktit se opozita sërish bëri të njëjtin gabim, duke mos qenë në vendin e duhur, në kohën e duhur.

“Ne erdhëm sot për të shprehur vullnetin dhe gadishmërinë për të diskutuar mbi çdo gjë që është e paqartë, qoftë dhe për moskuptime të caktuara lidhur me pasojat e risive kushtetuese dhe në këndvështrimin tim, është në interes të PD të zhvillojë këtë proces, sepse ky Këshill e ka kryer funksionin e vet me marrëveshjen e 5 Qershorit dhe pas 30 Korrikut jeta politike vazhdon.

Do të na duhet të reflektojmë në ligjin zgjedhor, çka kushtetuta do të imponojë me listat e hapura dhe më duket absurde të bojkotohet diskutimi, por nuk jemi në kushtet e një vendi pa parlament dhe mos ekzistenca imagjinare nga opozita jashtëparlamentare, nuk e bën inekzistent parlamentin .

Pavarësisht se ata e braktisën detyrën dhe u arratisën, ata janë pjesë e një realiteti politik, dhe mohimi nga ana jonë do të ishte i padrejtë për qytetarët që besojnë në ato alternative.

Jam i keqardhur se është një kohë e shkurtër dhe ne nuk jemi në kushtet e një shtrëngese apo halli. S’kemi asnjë hall të posaçëm, por mendoj se kemi bërë gjënë e duhur… dhe edhe sot bëmë gjënë e duhur.

Kam frikë se po përsërit të njëjtin gabim të mos qenies në vendin e duhur në kohën e duhur”. /tvklan.al