Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me emisionin ‘Report’ të transmetuar më 21 prill në RAI 3. Në intervistat e tij për “Il Giornale” dhe “La Stampa”, kryeministri Rama thekson se emisioni i RAI 3 po sulmon kryeministren e Italisë Giorgia Meloni në kurriz të Shqipërisë.

“Më falni, por që kur avokatët penalë jetojnë duke mbrojtur engjëjt dhe shenjtorët? Të përcaktosh një avokat, pra një figurë kyçe të shtetit të së drejtës, si person i besuar i kriminelëve, epo, vjen erë komunizmi, sepse më bën të mendoj për diktaturën gjakatare të Enver Hoxhës, i cili varrosi figurën e avokatit siç varroseshin lebrozët në mesjetë.”

I pyetur se a e priste nje sulm të tillë nga televizioni italian, Kryeministri Rama shprehet se ishte tejet i suprizuar nga ky lloj materiali.

“Të them të drejtën jo, sepse mbetem shumë i lidhur me RAI-n, të cilit i detyrohem shumë. Ishte e vetmja dritare drejt botës në çerekshekullin e parë të jetës sime. Dhe nuk mund të mos më lëndojë të shoh Shqipërinë të sulmuar në atë mënyrë të neveritshme nga RAI, sikur të ishte rihapur një faqe e zezë në historinë e shtypit italian, kur fjala shqiptar përdorej si sinonim për kriminel dhe trafikant. Hajduti, prostituta dhe vetë Shqipëria trajtohej si burim i së keqes.”

Sulmi i emisionit “Report” në RAI 3 sipas Ramës ka dëmtuar imazhin e të dy vendeve njëkohësisht me pa të drejtë.

“Jo, nuk e besoj këtë. Besoj se urrejtja ndaj kryeministres tuaj i bëri autorët e atij transmetimi të pandjeshëm ndaj së vërtetës. Kjo është pak, por e sigurtë. Besoj se i ka shkaktuar dëm edhe shërbimit publik të vendit tuaj, duke mashtruar teleshikuesit, të cilët në mos gabohem paguajnë taksa për t’u informuar saktë nga ai shërbim.”

Ndërsa intervista e italianes “La Stampa” hapet me kryetitullin “Nuk është krim të telefonosh Corsinin! Emisioni ‘Report’ i RAI 3 na përdor për të sulmuar Melonin”.

“I telefonova drejtorit për t’i treguar një të vërtetë të dokumentuar, por që u falsifikua nga televizioni i tij. Sigurisht, Shqipëria dhe njerëzit e përbaltur janë dëm kolateral i një bombardimi mbi qeverinë Meloni e në veçanti për kryeministren”.

Pyetjes se çfarë shume do i paguajë Italia vendit tonë për emigrantët, Rama i përgjigjet kështu.

“Ka vetëm rëndësi një numër fiks, i përcaktuar në marrëveshje: 3 mijë persona me rrotacion në qendrën e pritjes, asgjë tjetër më shumë.”

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj Sigfrido Ranuccit, moderatorit të emisionit ‘Report’ në RAI 3. Në reagimin e tij Rama shton se është i hapur për të qenë pjesë në episodin e radhës të emisionit “Report” në televizionin italian.

Klan News